Ilustrim

Votat e Diasporës, ‘GERMIN’ ankohet në Supreme

Organizata jo- qeveritare “Germin” ka dorëzuar në Gjykatën Supreme të Kosovës ankesë ndaj 1 mijë e 806 votave të ardhura nga Diaspora.

Kjo ankesë ka ardh pasi Paneli për Ankesa dhe Parashtresa hodhi poshtë ankesën e kësaj organizate dhe partisë Lëvizja vetëvendosje.

“Me datë 03.11.2019, Organizata GERMIN ka pranuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesën/apelin Anr. 382/2019 për moszbatimin e plotë të aktgjykimit A.A.UZH.nr. 20/2019 të Gjykatës Supreme nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Sipas këtij vendimi, PZAP hudh si të palejuar apelin në fjalë duke vlerësuar se “nuk është nën juridiksionin e këtij institucioni të bëj vlerësimin rreth zbatueshmërisë së Aktgjykimeve të Gjykatës Supreme” dhe se “paneli vendos vetëm ndaj vendimeve  të KQZ-së ashtu siç parashihet me nenin 122 paragragi 1 pikat a), b), c), d), e) dhe f) të  Ligjit Nr. 03/L-072 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës””, thuhet në njoftimin e “Germin”.

Kjo organizatë ka dhënë edhe shpjegimet e ankesës në Gjykatën Supreme. Sipas mostrajtimi i këtyre pakove të fundit nga KQZ, bie në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Supreme A.A.UZH.nr. 20/2019 të datës 30.10.2019, si dhe me aktgjykimin më të hershëm të kësaj Gjykate, A.A.-U.ZH.nr. 19/2019 të datës 25.10.2019. KQZ, duke mos trajtuar këto pako, ka vendosur në heshtje refuzimin e tyre rrjedhimisht edhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Supreme.

“Prandaj, kërkojmë nga Gjykata Supreme, që sipas mandatit të saj ligjor, dhe në bazë të parimeve të vendosura përmes aktgjykimeve AA.UZH. nr. 20/2019 dhe AA.UZH. nr. 19/2019, të ndërmarrë veprime konkrete dhe të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të numëruar 1.806 pakot e mbetura me fletëvotime të ardhura përmes postës”, thuhet në fund të njoftimit të “Germin”.

Lexo të plotë KËTU ankesën e “Germin” drejtuar Gjykatës Supreme.