Ivica Daçiq

Daçiq: Në këto ditë në Bruksel po merren vendime për paqe apo luftë në Kosovë

Ish-kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se në takimin në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të merren vendime ‘për luftë apo paqe në Kosovë’.

“Të gjitha subjektet politike në Serbi duhet të jenë të bashkuar në mbështetjen e tyre për presidentin Vuçiq në këto ditë kur praktikisht po merren vendime për luftë apo paqe në Kosovë”, ka thënë ai për Tanjug.

Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se i jep mbështetje të plotë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ‘në këto momente të vështira për vendin’.

“Jam i sigurt se Aleksandar Vuçiq në mënyrën më të mirë të mundshme do ta ruajë paqen dhe do t’i mbrojë interesat tona shtetërore dhe kombëtare në takimet e ardhshme në Bruksel. Njëkohësisht u bëj thirrje përfaqësuesve të Bashkimit Evropian që të tregojnë qartë se Prishtina pala nuk respekton asnjë marrëveshje nga Brukseli, duke refuzuar formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe me vendimet e saj të njëanshme rrezikon paqen”, ka thënë ai për Tanjug.

Pas më shumë se një viti pa takime, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen nesër në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Sipas njoftimit të BE-së, takimi Kurti-Vuçiq, do të përqendrohet se si të avancohet dialogu drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.

Po ashtu, mëtohet që të trajtohen çështjet aktuale që kanë për synim zbutjen e tensioneve mes dy shtete.

Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar në Bruksel që nga korriku i vitit të kaluar.

Palët kanë qëndrime të kundërta sa i përket edhe përfundimit të procesit dialogut të nisur më 2011. Përderisa Kosova kërkon që procesi të përmbyllet me një marrëveshje që do të përfshijë njohjen reciproke, Serbia synon një zgjidhje kompromisi.

Zbulohet agjenda e takimit mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel