Ivica Daçiq

Daçiq: Dialogu me Kosovën duhet të vazhdojë pasi zgjidhje tjetër, përveç luftës, nuk ka

Ish-kryetari i Kuvendit të Serbisë, tani deputeti i partisë SPS, Ivica Daçiq, në seancën e sotme që është duke u mbajtur në Parlamentin serb lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se ky dialog duhet të vazhdojë pasi zgjidhje tjetër, përveç luftës, nuk ka, raporton RTS.

Tutje është thënë se Daçiq ka shtuar se nuk e di se kush do të marrë pjesë në atë luftë.

Gjithashtu, siç raporton RTS, Daçiq ka shtuar se gjëja më e rëndësishme është të sigurohet paqja dhe siguria për serbët në Kosovë.

Kjo pasi sipas Daçiqit, pa serbët në Kosovë nuk do të kenë më për çfarë të negociojnë.

Në këtë seancë  është deklaruar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai ka thënë se përderisa ai mund të ndikojë, shteti që ai drejton nuk do ta njohë Kosovën, raporton Kossev.

“Prandaj, në këtë pjesën e parë, që të mos ketë kurrfarë dyshimesh, ngase e di që ka shumë nga ata, të cilët pa ndonjë bazë do t’i mbanin ligjërata morale e patriotike atyre që këto ligjërata më së paku i meritojnë, dua që si dikush i cili është betuar mbi Kushtetutë dhe si dikush i cili me gjasë ka fituar edhe besimin më të madh në përqindje të njerëzve tanë prej që kur ekziston sistemi shumëpartiak në Serbi, e jam betuar mbi Kushtetutën e Serbisë që përderisa mund të ndikoj, Republika e Serbisë nuk do të pranojë as në mënyrë të drejtpërdrejtë e as të tërthortë Pavarësinë e deklaruar njëanshëm të krahinës sonë jugore… e as që do të heq dorë… as që do të heq dorë… as që… as që do të heq dorë nga beteja e saj legjitime për interesat shtetërore dhe kombëtare, por edhe nga beteja për respektimin e të drejtës ndërkombëtare” – ka thënë Vuçiq në seancë.