Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

COVID-19 ndikoi në pakësimin e rezervave të gjakut

Ballafaqimi me pandeminë COVID-19 si dhe festat e fundvitit kanë ndikuar në pakësimin e rezervave të gjakut në Qendrën Kombëtare të Transfuzioni të Gjakut në Prishtinë.

Drejtoresha e kësaj qendre, Bukurie Zhubi, thotë për Radio Kosovën se me gjithë aksionet e shumta për dhurim të gjakut, sasitë e grumbulluara nuk kanë qenë të mjaftueshme për të mbuluar të gjitha kërkesat për gjak.

Pandemia COVID-19 vazhdon të jetë prezent dhe më tej në vendin tonë, kjo ka bërë që të ketë një vakum për sa i përket dhurimit vullnetar të gjakut.

Në qendrën Kombëtare të Transfuzionit thonë se për momentin kërkesa ka për të gjitha grupet e gjakut, por më e theksuar është ajo për grupin A.

Sipas drejtoreshës Zhubi, të gjithë dhuruesit e gjakut që janë prekur nga virusi korona dhurimin e gjakut mund ta bëjnë sërish 28 ditë pasi ta kenë kaluar infeksionin me COVID- 19.
“14 ose 28 ditë pas kalimit të sëmundjes pa simptome, pa terapi, dhuruesi i gjakut mund të dhurojë gjak”, tha ajo.

Ajo sqaron se Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzion të Gjakut ka planin vjetor të dhurimit të gjakut nëpër tërë territorin e Kosovës. Në muajin janar fushata e dhurimit të gjakut ka nisur në fshatin Denjë të Rahovecit dhe do të vazhdojë edhe në lokalitete të tjera.

“Në planin vjetor kemi edhe fshatra të tjera që do të vijnë në ditët në vijim. Kemi dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”, tha ajo.
Dhuruesit me të shpeshtë të gjakut janë FSK-ja dhe Policia e Kosovës që dhurojnë gjak dy herë në vit, thotë Zhubi. Ajo sqaron se për shkak të situatës pandemike shkollat e mesme dhe fakultetet nuk kanë qenë të përfshira në fushatat e dhurimit të gjakut. RTK