COVID-19, kufizimet hyrëse të Qeverisë së Kosovës të bazuara në listë që nuk ekziston

Një vendim i qeverisë së Kosovës  ka vënë masa kufizuese për qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovës bazuar në “listën zyrtare ECDC”, por Qendra Evropiane për Kontroll të Sëmundjeve ka thënë për BIRN se “një listë e tillë apo e ngjashme nuk ekziston”.

 

Të premten, qeveria e Kosovës aprovoi masa të propozuara nga Ministria e Shëndetësisë për të parandaluar shpërndarjen e COVID-19, që përfshiu masa të reja për qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, raporton Prishtina Insight.

Pika 1 e vendimit të qeverisë thotë së “të gjithë qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë nga vendet me rrezik të lartë, sipas listës zyrtare të ECDC (që freskohet çdo dy javë), duhet të kenë testin RT-PCR në SARS COV-2  që nuk janë të infektuar me COVID-19, bazuar në principin e reciprocitetit.”

Kjo masë është aplikuar edhe për qytetarët e huaj me leje qëndrim të përkohshëm dhe përgjithshëm në Kosovë, ku thuhet se këta persona pa një test RT-PSR i bërë në 72 orët e fundit do jenë të obliguar të vetizolohen për shtatë ditë.

BIRN ka kontaktuar Qendrën Evropiane për Kontroll të sëmundjeve, ECDC, për të marrë më shumë informata për “listën zyrtare” referuar në vendimin e qeverisë. Sidoqoftë, ekipi për media i ECDC-së tha për BIRN se një listë e tillë nuk ekziston.

“Rekomandimet tona për vetizolim dhe karantinë kanë të bëjnë vetëm me grupe të veçanta si rastet e mundshme, kontaktet dhe udhëtarët. Shikoni tabelën në faqe 12 të vlerësimit tonë të fundit për rrezik,” thanë ata për BIRN. “Kjo vlen për të dy parametrat e përhapjes së lartë dhe të ulët, kështu që për këtë arsye nuk ka asnjë listë si kjo apo e ngjashme që ne e mbajmë.”

Për kë aplikohen masat kufizuese?

Në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë të masave të reja, thuhet se hyrja në Kosovë “do të bëhet në përputhje me rrezikun e shtetit të klasifikuar nga ECDC. “Ekziston gjithashtu një dokument i cili ka një tabelë të dhënave në lidhje më COVID-19 për Zonën Ekonomike Evropiane dhe  Mbretërisë së Bashkuar.

Sipër tabelës thuhet se vendet e nënvizuara në të kuqe paraqesin “rrezik të lartë, e në këtë situatë ata duhet të kenë një test PCR për hyje në Republikën e Kosovës.”

Spanja, Franca, Belgjika, Holanda, Çekia, Danimarka, Hungaria, Luksemburgu dhe Islanda janë të gjitha të nënvizuara në të kuqe.

Sido që të jetë, BIRN ka mësuar se kjo politikë në Aeroportin ndërkombëtar Adem Jashari apo në kufijtë tokësorë të Kosovës nuk po aplikohet.

Samit Krasniqi, Koordinator për Qendrën Kombëtare të Kosovës për menaxhim të kufijve tha të mërkurën në mëngjes për BIRN se nuk është implementuar ndonjë ndryshim në politikën kufitare që nga e Premtja.

Krasniqi shtoi se nuk është marrë asnjë listë për shtete me rrezik të lartë nga Ministria e Punëve të Brendshme apo nga ajo e Shëndetësisë.

Në përpjekje për qartësim lidhur me masat e reja, BIRN kontaktoi Faik Hotin, zëdhënësin e Ministrisë së Shëndetësisë i cili këshilloi t’i referohej vendimit të qeverisë.