Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi brenda lokalit - 31.08.2021 - FOTO KALLXO

Pas raportimit të KALLXO.com, AUV nis procedurat ndaj Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), që është kompetente për inspektimin e masave anti-COVID-19, ka filluar procedurat për gjobitjen e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, pasi ky i fundit u xhirua duke mos repsketuar masat e vendosura nga Qeveria.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, u.d. drejtori i AUV-it, Flamur Kadriu.

“Rastin e kam dërguar te inspektorët sanitarë dhe zyra ligjore, për të parë se a kemi hapësirë ligjore për dënim apo gjobë mandatore. Në bazë të pamjeve në video dhe vendimit të Qeverisë, ne ende e kemi të paqartë se qysh mundemi me vepru”, tha Kadriu përmes telefonit.

Ai tha se sipas udhëzimeve të zyrës ligjore, edhe do të veprojnë.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, të marten me 31 gusht është parë duke pirë kafe brenda hapësirave të një lokali, në qendër të Prishtinës.

Masat e reja të Qeverisë së Kosovës, që kanë hyrë në fuqi që nga 30 gushti, e ndalojnë veprimtarinë e gastronomisë, brenda hapësirave të mbyllura.

Lumezi është parë duke qëndruar brenda një lokali, ndërkohë në të njëjtin lokal kishte edhe shumë njerëz të tjerë që po qëndronin.

I pyetur nga gazetari i KALLXO.com, pse ka qëndruar brenda hapësirave të lokalit, Lumezi u përgjigj duke thënë se kishte edhe njerëz të tjerë aty.

“Vallahi, pat plotë aty, edhe ne si të tjerët..”, tha Lumezi.

Kryeprokurori i Shtetit pi kafe brenda lokalit edhe pse masat e ndalojnë – VIDEO