Ilustrim, Foto: Kallxo.com, Gastronomia

Gastronomët kundërshtojnë masat e Qeverisë, kërkojnë pako ekonomike për gastronomi

Përmes një njoftimi Shoqata e Gastronomëve ka bërë të ditur se i kundërshtojnë fuqishëm masat e fundit nga Qeveria pasi sipas tyre nuk është përmendur mbështetja financiare

“Pas njoftimit të Kryeministrit lidhur me masat e reja që priten të hyjnë në fuqi këtë të premte, kuptuam që dëmet ekonomike në sektorin tonë dhe tërë ekonominë do të përkeqësohen edhe më shumë. Rrjedhimisht, kundërshtojmë fuqishëm këto masa, pasiqë në asnjë rast nuk u përmend nga qeveria se për këto mbyllje do të ketë mbështetje financiare në Ekonomi,” thuhet në njoftim.

Tutje gastronomët kanë kërkuar që urgjentisht të krijohet pakoja ekonomike për gastronomi ku do përfshiheshin subvencionimi, shtyrja e kredive, lejimi i shërbimeve delivery edhe pas orës 19:00.

Gastronomët kanë theksuar se nëse këto kërkesa nuk merren parasysh brenda një jave do rriten reagimet dhe kundërshtimet.

“Ne si Shoqatë e Gastronomëve të Kosovës, kërkojmë që URGJENTISHT Qeveria të dalë me qëndrim zyrtar lidhur me kërkesat kryesore të sektorit të gastronomisë, për krijimin e Pakos Ekonomike për Gastronomi, në vlerë së paku prej 10 milionë eurosh, detajet e së cilës janë:

1. Subvencionimi i shpenzimeve operative deri në përfundimin e pandemisë (mbulimet e qirasë, pagat e punëtorëve);

2. Shtyrje të afatit të kësteve të kredive, dhe kthimit të mbitërheqjeve deri në përfundimin e pandemisë;

3. Pagesa direkte për bizneset e gastronomisë, sipas vlerësimit të situatës;

4. Lejimi i shërbimeve me porosi (delivery) pas orës 19:00, edhe në komunat me rrezikshmëri të lartë.

Situata në sektorin e gastronomisë është jashtëzakonisht e rëndë. Andaj, nëse brenda afatit kohor prej shtatë (7) ditësh nuk merren parasysh kërkesat tona vitale, dhe nuk kemi asnjë konfirmim zyrtar për këtë çështje, ne do të rrisim kundërshtimet, veprimet, dhe reagimet tona,” thuhet tutje në njoftim.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot ka bërë të ditura masat e reja anti- COVID për ditët e ardhshme në Kosovë. Vendimi sipas Hotit pritet të vihet në votim në qeveri.

Komunat  me numër të të infektuarve nën 75 për 100 mijë banorë janë futur në “grupin e gjelbër”. Në këto qytete operatorët ekonomik, gastronomia dhe veprimtaria hoteliere  mund të punojnë nga ora 05:00 deri në në orën 20:00, pas kësaj ore mund të punohet vetëm me dërgesë  dhe “ merr me  vete”.

Në qytetet me rrezikshmëri të mesme të cilat përfshijnë ato komuna me numër nën 150 të infektuar për 100 mijë banorë  operatorët ekonomik, shërbimet hoteliere dhe gastromia mund të punojnë  nga ora 05:00 deri  18:00. Ndërkaq pas kësaj ore veprimtaria  mund të zhvillohet vetëm me porosi apo “merr me vete”.

Për këto qytete është marrë vendim që insitucionet publike të punojnë me staf esencial.

Komunat me rrezikshmëri të lartë me numër të infekturave mbi 150 për 100 mijë banorë brenda javës  janë kategorizuar në zonen e kuqe. Në këto qyteete operatorët ekonomik, shërbimet hoteliere dhe gastronomia janë lejuar në punojnë nga ora 05:00-19:00. Nga ora 19:00, kryeministri Hoti ka bërë të ditur se të gjitha bizneset do të mbyllen.