Tre policë kthehen në shtëpi nga eprorët e tyre, nuk ishin vaksinuar

Tre zyrtarë policor në Stacionin Qendra në Prishtinë, janë liruar përkohësisht nga detyra për shkak të masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kundër pandemisë COVID-19.

KALLXO.com ka siguruar një dokument të datës 9.12.2021 (dita e djeshme) i cili u është dërguar eprorëve të Stacionit Qendra në Prishtinë në të cilin thuhet se të gjithë zyrtarët policor duhet të zbatojnë vendimin e Qeverisë, për masat antiCOVID.

Tre zyrtarët e liruar nga puna janë udhëzuar të shkojnë në shtëpi dy ditë më parë, siç mëson KALLXO.com, pasi nuk kanë qenë të vaksinuar kundër COVID-19 dhe janë udhëzuar që të zbatojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Sipas vendimit të fundit me masat e Qeverisë së Kosovës, të gjithë punonjësit e institucioneve publike si dhe personeli i ndërmarrjeve publike apo të një komune, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e cekura në vendim për vaksinim.

Në këtë të fundit thuhet se hyrja në objekte të punës të zyrtarëve bëhet vetëm në rast se të njëjtit posedojnë dy vaksinat kundër COVID-19, një vaksinë dhe testin PCR jo më të vjetër se 72 orë si dhe njërën vaksinë dhe testin i cili tregon që personi ka kaluar COVID-19, jo më të vjetër se 180 ditë.

Në dokumentin që ka siguruar KALLXO.com, përmendet se të gjithë zyrtarët policorë që nuk janë të vaksinuar, kthehen në shtëpi ndërsa udhëzohen që të respektojnë masat. Ndaj tyre për mungesat në ditët vijuese evidentohen mungesa në punë pa arsye.

Në këtë dokument thuhet edhe se mungesat pa arsye me sqarim, përcillen edhe në zyrën e Financave nga Zyra e Personelit të Stacionit Policor.

Gjithashtu thuhet se në rast se një zyrtar policor apo staf civil brenda Policisë së Kosovës, përsërit tri ditë radhazi të njëjtën çështje apo paraqitet në detyrë duke mos zbatuar vendimin e Qeverisë, mbikëqyrësi i tij e procedon rastin dhe e dërgon lëndën për hetim të brendshëm disiplinor.

Kjo pasi të njëjtit i numërohen mungesat pa arsye dhe për të to duhet të mbaj përgjegjësi.

Në Ligjin për Parandalimin e Pandemisë, neni 4, për autorizimet e posaçme dhe kufizimet e të drejtave kushtetuese thotë:

“Kufizimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, përjashtimisht ato të specifikuara në nenin 56 të Kushtetutës, për aq sa një gjë e tillë është e domosdoshme për luftimin dhe pengimin e përhapjes së sëmundjes”.

Në anën tjetër Kushtetuta, neni 56 thotë: “Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore që mbrohen me Kushtetutë, mund të bëhet vetëm pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme sipas kësaj Kushtetute dhe vetëm deri në masën sa është e domosdoshme nën rrethanat e dhëna”.

Neni 26 i Kushtetutës, tregon për të drejtën e integritetit personal. Në këtë nen parashihet që secili person gëzon të drejtën e respektimit të integritetit fizik dhe psikik të tij/saj, që përfshin:

(1) të drejtën që të marrë vendime lidhur me reprodukimin, sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara me ligj;

(2) të drejtën që të ketë kontroll mbi trupin e saj/tij në pajtim me ligjin;

(3) të drejtën që të mos i nënshtrohet trajtimit mjekësor kundër vullnetit të tij/saj në pajtim me ligjin;

(4) të drejtën që të mos marrë pjesë në eksperimente mjekësore ose shkencore, pa pëlqimin paraprak të saj/tij.

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com, ka kërkuar një opinion ligjor edhe nga Ministria e Shëndetësisë edhe nga Zyra e Avokatit të Popullit, por deri në publikim të këtij artikulli të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.