Çmimet e derivateve

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njoftoi të shtunën për çmimin maksimal të lejuar për shitjen e derivateve.

Sipas çmimeve të publikuara, nafta do të jetë 2 cent më lirë se dje, pra një litër naftë gjatë ditës së sotme do të kushtoj 1 euro e 76 cent.

Ndërsa, lirim pati edhe për benzinën. Derisa dje kushtonte një litër benzinë 1 euro e 43 cent gjatë ditës së sotme do të kushtoj 1 euro e 40 cent.

Dy ditë më parë, MINT-i ka marrë vendim për vendosjen e masave mbrojtëse për produktet e derivateve të naftës.

Sipas vendimit, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është 2 centë për litër kurse çmimi maksimal i lejuar i shitjes me pakicë është 12 centë për litër. Ky vendim do të vlejë për 30 ditë që nga publikimi i tij.

Sipas ministrisë, ky vendim është marrë për arsye se në shitjet me pakicë në Kosovë është evidentuar mospërshtatje e çmimeve vendore me lëvizje të mëdha të çmimeve në tregun botëror.

Ditët e fundit, para vendimit të MINT, në pompat e derivateve në Kosovë, çmimet e naftës ishin nga 1.75 deri në 1.79 euro.

Edhe në muajin qershor, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për caktimin e çmimit tavan për derivate të naftës, i cili ishte në fuqi për 30 ditë. Ky vendim u mor pasi çmimi i naftës shkoi deri në 1.95 euro për litër në pikat e shitjes së karburanteve në Kosovë.