Çka u zhduk nga dhoma e dëshmive në stacionin e Policisë së Kosovës në Zubin Potok?

Dy ditë më parë Policia e Kosovës njoftoi se gjatë një inspektimi në Drejtorinë Rajonale Policore në veri të Mitrovicës, më saktësisht në stacionin policor në Zubin Potok, ishin hasur disa parregullsi.

Zyrtari policor përgjegjës për dhomën e dëshmive, shefi i hetimeve dhe komandanti i stacionit policor në Zubin Potok janë suspenduar për shkak të veprës penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Burime të KALLXO.com kanë treguar se më shumë se dhjetë armë- pushkë, disa materiale të tjera dhe disa dokumentacione janë ‘zhdukur’ nga dhomat e dëshmive.

Policia nuk kishte dhënë detaje në njoftimin e ditës së diel se çfarë parregullsish kishte hasur, duke theksuar se për detaje do të njoftoheshin mediat ditëve në vijim.

KALLXO.com gjithashtu ka mësuar se dëshmitë e zhdukura kanë qenë të konfiskuara në trazirat e marsit të vitit 2008 pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Një muaj pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj, disa protestues të veriut të Mitrovicës e kundërshtonin atë duke krijuar trazira, gjatë të cilave u vra një polic i UNMIK-ut.

Protestuesit serbë që kundërshtonin pavarësinë e Kosovës kishin hyrë brenda gjykatave dhe kishin zaptuar ato duke bërë thirrje për rezistencë, duke shkatërruar mjete të punës dhe ishin përleshur me Policinë.

Nga këto përleshje mes Policisë dhe protestuesve serbë një polic ndërkombëtar kishte mbetur i vrarë dhe dhjetëra të tjerë ishin lënduar e plagosur.