KPK

Këshilli Prokurorial i reagon Ambasadës britanike për procesin e zgjedhjes së Kryprokurorit të Shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka reaguar ndaj Ambasadës së Britanisë së Madhe lidhur me konkursin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

KPK në reagimin e saj ka theksuar se në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, do të ftojë partnerët ndërkombëtarë për monitorim, me qëllim që të jetë sa më transparent procesi.

Ky reagim i KPK-së vije pasi Ambasada britanike deklaroi sot se i ka ofruar mbështetje KPK-së në rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit, por që KPK e ka shpallur konkursin pa iu kthyer përgjigje dhe pa mbështetje të Ambasadës.

KPK në reagim ka theksuar se i ka njoftuar me kohë të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë me agjendën e takimit, ku ishte caktuar si pikë e rendit të ditës propozimi për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, ashtu siç ka marrë vendim për shpalljen e konkursit, duke u bazuar në afatet ligjore, do të vazhdojë të gjitha procedurat deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, duke respektuar ligjet dhe aktet e tjera nënligjore që rregullojnë këtë proces”, thuhet në regimin e KPK-së.

KPK ka deklarur se do të vazhdojë të bashkëpunojë për të gjitha proceset e sistemin prokurorial të Kosovës, “me qëllim të fuqizimit dhe ngritjes së vazhdueshme të efikasitetit të këtij sistemi”.

Këshilli Prokurorial i Kosovës në takimin e fundit të mbajtur të mërkurën më 12.01.2022 ka marrë vendim për shpalljen  e konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kryeprokurorit Lumezi i skadon mandati në prill të këtij viti. Konkursi për këtë pozitë do të jetë i hapur për 15 ditë, duke filluar nga data 17 janar.

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar ndaj Këshillit Prokurorial pas shpalljes së konkursit për Kryeprokuror të Shtetit.

“Ambasada Britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).  Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues. Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe.

Ambasada britanike thotë se ofroi mbështetje për zgjedhjen e kryeprokurorit, por që nuk iu kthye përgjigje nga KPK