Ushtarët e FSK-së. Foto: Ministria e Mbrojtjes/Facebook

Çka parashihet me plotësimet dhe ndryshimet që po bëhen me 3 ligjet e FSK-së?

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka miratuar tri projektligje për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligjin për FSK dhe për Shërbimin në FSK, janë tri projektligjet që u miratuan në parim në takimin e sotëm të këtij komisioni.

Këto projektligje u miratuan në parim me votat unanime të anëtarëve të këtij komisioni.

Tri projektligjet do të jenë ndryshim dhe plotësim i ligjeve aktuale. Në bazë të memorandumeve shpjeguese për këto projektligje shihen disa ndryshime të cilat janë cilësuar si të nevojshme.

Sa i përket projektligjit për shërbimin e FSK-së, sipas memorandumit shpjegues qëllimi është që të ndryshohet dhe plotësohet Ligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Sipas këtij memorandumi, ky ligj rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK. Përmes këtij ligji përcaktohet shërbimi i pjesëtarit të FSK-së sipas kushteve dhe rregullave të përcaktuara në këtë ligj në përmbushje të kompetencave dhe detyrave kushtetuese dhe ligjore.

Ligji thuhet se ka paraparë parimet e shërbimit, kriteret e përgjithshme për shërbim, betimin e pjesëtarit, vlerësimin vjetor, kohëzgjatjen dhe ndërprerjen e shërbimit, pushimet, e çështje tjera që ndërlidhen me të drejtat dhe detyrimet e pjesëtarëve të FSK.

“Projektligj ka për qëllim ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shërbim në FSK me qëllim të rregullimit të fushave përkatëse si disiplinën në FSK, obligimet dhe detyrimet e pjesëtarëve të FSK”, thuhet në memorandum.

Tutje tregohet se plotësimi dhe ndryshimi i këtij Ligji është iniciuar si rezultat i nevojës për plotësim sa i përket përbërjes të drejtave dhe detyrime të pjesëtarëve si dhe çështjet disiplinore në FSK me qëllim krijimin e bazës ligjore për nxjerrjen e rregullave përkatëse për FSK.

Sipas këtij memorandumi, është e domosdoshme që të krijohet bazë ligjore lidhur me të drejtat dhe detyrimet e pjesëtarëve të FSK përfshirë edhe sanksionet disiplinore.

“Elementet kryesore që projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shërbim në FSK adreson është pastërtia e figurës, karriera ushtarake, mosha për rekrutim në FSK, betimi, vlerësimi vjetor, medalje dhe mirënjohje, ushqimi transporti akomodimi, obligimet e pjesëtarëve të FSK, shqyrtimi i ankesave dhe disiplina”, është thënë në memorandumin shpjegues.

Në anën tjetër, projektligji i dytë që u miratua sot është ai për FSK-në.

Ky projektligj ka për qëllim ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për FSK-në me qëllim të harmonizimit me ligjet bazike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

“Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për FSK është iniciuar si rezultat i nevojës për plotësim sa i përket mobilizimit gatishmërisë së FSK, rregullimin e fushave dhe degëve ushtarake komandimin dhe kontrollin, si dhe mbikëqyrjen demokratike civile”, thuhet në memorandum.

Madje, është thënë edhe se është e domosdoshme që të krijohet bazë ligjore lidhur me mobilizimin, gatishmërinë, fushat dhe degët ushtarake, komandim kontrolli dhe mbikëqyrja demokratike e FSK.

“Elementet kryesore që projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për FSK  adreson është mobilizimi, gatishmëria, fushat dhe degët ushtarake, specialiteti profesional ushtarak, përdorimi i forcës, organizimi dhe struktura, detyrat e SHPFSK, arsimimi dhe aktivitetet shkencore, shërbimet mbështetëse dhe logjistike Komandim kontrolli dhe mbikëqyrja demokratike e FSK”, është thënë tutje.

Më mbledhjen e sotme të Komisionit për Siguri është miratuar në parim edhe Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes.

Ky projektligj ka për qëllim ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ministrinë e Mbrojtjes që ka rregulluar kompetencat dhe fushëveprimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrit të Mbrojtjes.

Sipas memorandumit shpjegues, ky ligj, po ashtu ka rregulluar edhe përbërjen e personelit të Ministrisë së Mbrojtjes, personel ky ushtarak dhe civil.

Projektligj thuhet se ka për qëllim ndryshimin harmonizimin e strukturës se Ministrisë së Mbrojtjes me Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura. Kjo meqenëse struktura aktuale e Ministrisë së Mbrojtjes është e përcaktuar me këtë ligj, ka nevojë që fillimisht ndryshimi i strukturës të bëhet me ligj, për t’i hapur rrugë aktit nënligjore.

“Riorganizimi i brendshëm dhe sistematizimi i vendeve të punës në Ministri të Mbrojtjes do të përcaktohet me akt të veçantë nënligjor të cilin e nxjerr Kryeministri, duke marrë parasysh këtë ligj dhe legjislacionin tjetër në fuqi”, është thënë në njoftim.

Ky plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Ministrin e Mbrojtjes është thënë se është iniciuar si rezultat i nevojës për plotësim dhe përshtatje sa i përket përbërjes dhe organizimit me legjislacionin përkatës ne fuqi.

Komisioni për çështje të sigurisë miraton tri projektligje për FSK-në