Vlora Çitaku - Foto: KALLXO.com

Çitaku për "Kuvendin gjithëserb”: Serbia nuk ka ndryshuar, të mos biem në grackat e kësaj balte

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj Deklaratës së lëshuar nga i ashtuquajturi “Kuvendi gjithëserb”, në të cilën thuhej se “Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”.

“Kuvendi gjithëserb” është mbajtur më 8 qershor në Beograd.

Gjatë takimit, Qeveria e Serbisë dhe ajo e Republikës Sërpska, e kanë nënshkruar “Deklaratën për mbrojtje të të drejtave kombëtare dhe politike dhe për të ardhmen e përbashkët të popullit serb”.

Ky dokument duhet të miratohet nga parlamentet e dy palëve brenda 90 ditëve.

Sipas Çitakut, Serbia vazhdon të jetë e njëjta si para një shekulli.

Ajo ka thënë se detyrë e Kosovës është të mos bjerë pre e asaj që Çitaku e ka quajtur “baltë që me shumicë prodhohet në Serbi”.

“Serbia nuk ka ndryshuar asnjëherë. E tillë ka qenë para një shekulli, e tillë vazhdon sot. E njejta mendësi! “Kuvendi gjithëserb” është vetëm një nga format e manifestimit të asaj mendësie, e cila vazhdon të jetë dominuese në Beograd. E detyra jonë si lidership në Kosovë është të mos biem në grackat e kësaj balte, që me shumicë prodhohet në Serbi”- ka thënë ajo.

Ndërsa ka shtuar se rruga e Kosovës drejt NATO dhe BE kalon nga Washingtoni dhe Brukseli.

“E nëse fqinjët tanë veriorë dëshirojnë të vazhdojnë të jetojnë duke u munduar t’i rikrijojnë betejat e humbura, keqardhje për ta”- u shpreh Çitaku në Facebook.

Çfarë thuhet për Kosovën?

Përveç pjesës për emrin, në Deklaratën e “Kuvendit gjithëserb” përmendet edhe që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, dhe që Kuvendi gjithëserb mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Mes tjerash përmendet që serbët në Kosovë, si dhe gjithë qytetarët tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet të mbrojnë manastiret, kisha, pronat private, varrezat dhe objektet e tjera të rrezikuara.

Nënshkruesit e Deklaratës i kanë dënuar edhe ato që i kanë konsideruar “kushte të patolerueshme të jetesës së serbëve në Kosovë, të krijuara prej autoriteteve të Prishtinës”, por pa përmendur ndonjë fakt konkret.

Në një pikë tjetër është përmendur edhe nevoja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si mënyra e vetme e qëndrueshme për zgjidhje të problemit.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës.

Dy vendet dialogojnë në Bruksel për normalizim të marrëdhënieve qysh prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.