Foto: ZKM

Chollet bisedon me Kurtin: Tani duhet zbatimi i propozimit të BE-së për të siguruar përfitime të rëndësishme

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Chollet thotë se mirëpret vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin evropian, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Bisedova sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Mirëpresim vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”- shkruan Chollet në Twitter.

Chollet ka deklaruar se tani duhet zbatimi i plotë i propozimit për të siguruar përfitime të rëndësishme për të dy vendet.

Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, thotë se do të mbështesin plotësisht hapat e ardhshëm për propozimin e BE-së duke shtuar se është progres i rëndësishëm për Kosovën.

“Ne do të mbështesim plotësisht hapat e ardhshëm për propozimin e BE-së. Ky progres është i rëndësishëm për Kosovën pasi ne mbështesim integrimin e saj të plotë në strukturat euroatlantike dhe ndërkombëtare”- shtoi Hovenier.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas drekës me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, të hënën tha se Kosova e pranon propozimin e BE-së, i njohur si plani franko-gjerman.

Ndërkaq pas vizitës në Kosovë dhe Serbi, Lajçak tha se tashmë edhe Kosova ka pranuar propozimin e BE-së në parim.