Ilustrim

Çështja e librave, Drejtoritë Komunale të Arsimit në Kosovë e shohin problematik fillimin e vitit të ri shkollor

Propozimin e Ministrisë së Arsimit për furnizmin me libra, që ato të blihen nga prindërit dhe më pas të rimbursohen nga kjo ministri, Drejtoritë Komunale të Arsimit në Kosovë e shohin si problematike dhe të pamundur të relaizohet kjo ide.

Mësimdhënësit dhe shkollat e komunës së Prizrenit ndodhen në një situatë të vështirë pas idesë së paralajmëruar nga MASHTI.

“Nuk është thjesht sfidë, por është e pamundur në këto kushte ideja e ministres të realizohet” – ka thënë për KALLXO.com Luljeta Veselaj-Gutaj, drejtoreshë e Arsimit në Prizren.

Sipas Veselaj-Gutajt, në cilindo variant që të fillojë shpërndarja e teksteve shkollore në këtë kohë do të sjellë probleme dhe pasoja.

Si rezultat i kësaj, ajo ka përmendur një nga sfidat që do të paraqitet – mësimdhënësit do të përballen me libra të shtëpive botuese të ndryshme, pasi prindërit janë të lirë të furnizohen me libra nga shtëpi botuese të ndryshme.

Ajo ka njoftuar se është përmbyllur faza e parë ku mësimdhënësit kanë bërë të ditur se me cilat libra do të punojnë.

“Në kohën kur drejtorët e shkollave kanë pritur që të plotësohet faza e dytë e përzgjedhjes së teksteve shkollore, për të cilën ka pasur vonesa, vjen kjo deklaratë e ministres së MASHTI, e cila është shoqëruar me reagime nga drejtuesit e shkollave dhe komuniteti. Prej kaq vitesh nuk ka ndodhur që DKA-të dhe institucionet shkollore të gjenden me një situatë të tillë” – ka theksuar drejtoresha.

Ndërkaq, sipas Drejtorisë së Arsimit në Gjakovë, mësimi në këtë komunë  pritet të fillojë me vonesë, për shkak të pajisjes së nxënësve me tekste shkollore.

Eranda Kumnova – Baçi, drejtoreshë e Arsimit në Gjakovë ka thënë se kjo praktikë e re, e pa provuar më parë në pajisjet me tekstet shkollore, do të ketë pengesa e vështirësi jo vetëm gjatë aplikimit të prindërve në E-Kosova, por edhe për furnizimin dhe blerjen e teksteve përkatëse.

“Plot librari të tjera nuk kanë as hapësira të mjaftueshme për përballimin e volumit të teksteve dhe blerësve në të njëjtën kohë. Prindërit dhe librarët nuk kanë njohuri të mjaftueshme për përzgjedhjen e teksteve nëpër shkolla, ky do të jetë një problem tjetër i madh dhe serioz” – është përgjigur Baçi për KALLXO.com.

Baçi ka përmendur faktin se sikur të kishin qenë të informuar me kohë nga MASHTI, “do të riorganizonin kthimin e librave në shkolla nga nxënësit dhe të paktën, kështu do t’i kishin mbuluar kategoritë më të rënda familjare.”

Me këtë rast ajo thotë se, për librat e vjetër, të cilët shkojnë në riciklim, do ta ndalonin atë proces më herët, në mënyrë që t’i shfrytëzonin për këtë vit.

Drejtori Komunal i Arsimit në Pejë, Naser Gega e ka quajtur “komedi”, paralajmërimin e Ministrisë së Arsimit, që për blerjen e librave për nxënësit për vitin e ardhshëm shkollor, paratë t’ua transferojë prindërve.

Udhëheqësi i kësaj drejtorie, Naser Gega thotë për KALLXO.com, se ideja është e vonë, ndonëse e quan “inovatike” dhe “e shpikur” nga Ministria.

“Është një ide inovative që e ka shpik MASHTI, edhe kjo është shumë vonë, nuk është e qëlluar bash hiç nëse ka qenë plani, është dashtë me u njoftu prindërit edhe tjerët, përndryshe minutat e fundit para fillimit të vitit shkollorë, kjo është si komedi, s’e di çka të them tjetër” – ka thënë Gega, për KALLXO.com.

Sipas Gegajt, kjo situatë do të paraqes sfidë për shkollat që funksionojnë në Pejë.

Ai tutje ka bërë të ditur se të mërkurën, Kolegjiumi i Arsimit, drejtorët komunalë të Kosovës, janë ftuar të mbajnë një takim, ku do të sqarohet se si është menduar të subvencionohen prindërit për tekstet shkollore.

“Ata (drejtorët e shkollave) kanë shqetësim, në të njëjtën kohë kanë edhe amulli, nuk kanë ide si do të realizohet, presin informata prej nesh, dhe mu për këtë fakt nesër do të takohemi me Kolegjium të Arsimit edhe ta qartësojmë situatën, besoj do të jetë edhe ministrja [Arbërie] Nagavci, sigurisht që ajo do të sqarojë diçka ma tepër, nëse ka” – është shprehur Gega.

Sipas të dhënave, komuna e Pejës ka afër 30 shkolla dhe afër 17,000 nxënës.

Mësimdhënësit në Deçan mund të bojkotojnë fillimin e procesit të ri mësimor pas zhvillimeve të fundit rreth furnizimit me librat shkollorë të nxënësve.

Kështu ka thënë për KALLXO.com, drejtori i Arsimit në Komunën e Deçanit, Besnik Hulaj.

Drejtori i DKA-së në Deçan, Besnik Hulaj në një bisedë për KALLXO.com tha se janë të zhgënjyer me propozimin e MASHTI-it duke thënë se është e vonë dhe nuk ka garanci që prindërit do t’i kenë paratë për blerjen e librave.

Hulaj thotë se këtë çështje e ka biseduar edhe me drejtorët e shkollave në këtë qytet.

“Paraqet sfidë të madhe për fillimin e vitit të ri shkollor, sepse pa libra ne do ta kundërshtojmë fillimin e vitit shkollor dhe ndoshta do të obligohemi që për një kohë edhe ta bojkotojmë e ndoshta edhe te gjejmë ndonjë mënyrë qe ne si komunë t’i sigurojmë, sepse edhe ashtu nuk kemi përkrahje nga MASHTI“ – tha Hulaj për KALLXO.com.

Ai thotë se drejtorët e shkollave janë shprehur se pa libra s’mund ta fillojnë vitin akademik dhe kjo mund të shpie deri te humbja e orëve mësimore.

Kurse, Drejtoria e Arsimit në Lipjan dhe Istog, në një bisedë për KALLXO.com kanë thënë se ende nuk kanë pasur mundësi të flasin me drejtorë të shkollave për këtë çështje.

Këtë formë të furnizimit të librave, drejtori i Arsimit në Lipjan, Rasim Hasani e ka quajtur si diçka “të re”, “të papritur” dhe se nuk e di se si do të shkojë.

Sipas tij, nuk do të shkojë mirë e gjitha kjo, pasi ai thotë se MASHTI funksionon me disa “ide paranoike” dhe lidhur me to nuk pyesin askënd.

“Nëse me ligj obligohet shteti fëmijët me i furnizu me libra, atëherë duhet me kry furnizimin, jo në momentin e fundit tash me gjet alternativa, është keq” – është shprehur Hasani për KALLXO.com.

Ndërsa, për drejtorinë e Arsimit në Istog ky propozim është “jo korrekt” dhe “i parealizueshëm”.

Në përgjigjen e tyre për KALLXO.com, ata kanë thënë se kjo situatë e krijuar me librat paraqet një sfidë të madhe për shkollat e këtij qyteti.

Ndryshe nga këto mendon Drejtoria e Arsimit në Podujevë, e cila e konsideron si propozim “të mirë” dhe “të qëlluar”.

Avni Fetahu, drejtor i Arsimit në këtë komunë, ka thënë se, ka libra mjaftueshëm që janë duke qëndruar në depo të shkollave.

Sipas Fetahut, kjo situatë e krijuar nuk paraqet sfidë për organizim dhe menaxhim, përveç që shkaktohet një vonesë.

“Shumica e drejtorëve që kemi diskutuar mendojnë se është zgjedhje e duhur dhe librat do të ruhen më mirë kur blihen nga vetë prindërit të financuar nga shteti” – ka treguar Fetahu për KALLXO.com.

Në komunën e Gjakovës janë 48 institucione edukativo-arsimore, 4 shkolla të mesme, 2 shkolla fillore të ciklit të kalsave 1 deri në 5, të tjerat janë shkolla fillore, me rreth 15,460 nxënës.

Në komunën e Lipjanit janë 28 institucione edukativo-arsimore, një shkollë parafillore, 3 shkolla të mesme edhe 24 shkolla fillore.

Komuna e Istogut numëron 11 shkolla fillore, 2 shkolla të mesme të larta, me përafësisht 6200 nxënësa.

Dhe në komunën e Podujevës ka rreth 37 shkolla fillore, me rreth 12,618 nxënës.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të hënën  tha se deri tek shqyrtimi i një opsioni të tillë lidhur me librat, kanë ardhur me qëllim rritjen e transparencës së parasë publike.

Sipas tyre, çmimet e ofruara nga shtëpitë botuese kanë qenë tejet të larta.

Reagimet për këtë çështje nuk kanë munguar.

Shtëpia Botuese “Dukagjini” doli të hënën me një reagim duke thënë se çmimi i ofertuar për këtë vit të ri shkollor është më i ulët për 4% se çmimi i vitit të kaluar.

Në lidhje me situatën e krijuar kanë reaguar edhe përfaqësues të partive politike opozitare, nga të cilat kanë kërkuar edhe dorëheqjen e ministres Nagavci.