Cadman: Prokuroria nuk mund të vërtetojë akuzat ndaj Nasim Hardinajt

Avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman në Dhomat e Specializuara të Hagës ka deklaruar se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dështuar që të vërtetojë akuzën me të cilën ngarkohet ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Sipas prokurorisë Hysni Gucati e Nasim Hardinaj akuzohen se shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike në lidhje me hetimet të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

Mbrojtësi Toby Cadman në fjalën përfundimtare ka deklaruar se çështja e ZPS-së është e mangët dhe si të tilla provat ndaj tij duhet të hedhen poshtë.

“Nuk ka absolutisht asnjë provë që vërteton se dokumentet ishin të fshehta, se ishin sekrete… E tërë çështja e ZPS-së është kaq e mangët sa që duhet të hidhet poshtë”, ka thënë Cadman.

Tutje avokati ka konsideruar se ka mungesë të provave për të vërtetuar pretendimet kundër të mbrojturit të tij.

“Prokuroria e ka pranuar përmes zonjës Pumper, që nuk janë ndjekur penalisht këtu kryesit serbë. Kjo do të thotë se nuk ka hetime për masakrat e shumta të kryera nga serbët në Kosovës, forcat ushtarake dhe paramilitare dhe disa prej tyre janë edhe në njoftimet e Interpolit. Disa prej tyre janë madje krenarë që janë shtytës të këtij procesi këtu”, ka shtuar avokati.

Avokati Cadman ka mbështetur në tërësi parashtrimet e avokatit të Hysni Gucatit, lidhur me çështjen se ZPS-ja ka refuzuar të nxjerrë detajet e hetimit të vet që lidhen me rrjedhjen e informacionit.

“Prokuroria ka lejuar nxjerrjen e këtyre dokumenteve dhe deri në këtë ditë nuk dihet si e ka lejuar këtë. Prokuroria gjithë çështjet e bazon në atë që e quajmë prova të dorës së tretë, prova që dëshmitarët nuk kanë pasur njohuri të drejtpërdrejtë”, ka deklaruar avokati.

Mbrojtësi Cadman ka arsyetuar se i mbrojturi i tij Nasim Hardinaj gjithë çështjen për të cilën është akuzuar e ka mbështetur në interesin publik kombëtar.

“Interesi publik ka qenë tipar kryesor i mbrojtjes së Haradinajt dhe Gucatit që nga fillimi i procedurës. Ka qenë e qartë se Haradinaj ka vepruar në interes të publikut dhe ka qenë forca shtytëse e veprimeve të tij”, tha tutje avokati.

Por, përkundër kësaj, Cadman ka hedhur akuza se pas rrjedhjes së informacionit, ZPS-ja nuk ka ndërmarrë asnjë hap në kuptimin parandalues.

“Më tej dhe disi habitshëm, ZPS ka kërkuar të mbajë pozicionin që hetimet në rrethanat përtej rrjedhjes së informacionit dhe që kanë të bëjnë me sjelljen e pretenduar të Haradinajt, nuk janë të rëndësishme”, ka shtuar mbrojtësi.

Në vijim të gjykimit avokati i Nasim Haradinajt ka kundërshtuar të gjitha pikat e aktakuzës.

Sjellja e disa dokumenteve të Gjykatës Speciale në zyrat e OVL-UÇK-së nga një person ende i panjohur e më pas bërja publike e tyre në konferenca mediatike, është arsyeja e gjykimit ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Gucati e Haradinaj akuzohen se së bashku me persona tjerë organizuan dhe  shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së po ngarkohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë nga 25 shtatori i vitit 2020, kur edhe u arrestuan në Prishtinë.