Kamenica

Buxheti për Kamenicën - Vetëm 7 projekte të reja

Të dielën pas mesnate, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi buxhetin e propozuar nga Qeveria Kurti për vitin 2020.

Përpara se të miratohej ky buxhet kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati tha se buxheti i qeverisë rrezikon bankrotimin e Kamenicës.

Në Komunën e Kamenicës janë paraparë 19 projekte kapitale.

Nga këto 19 projekte, 6 prej tyre do të bëhen nga buxheti i paraprak, 6 me shtesa nga buxheti i ri, si dhe 7 projekte do të realizohen nga buxheti i ri për vitin 2020.

Shumica e projekteve të cilat do të financohen nga buxheti i ri janë lapidare e muze.

Projektet kapitale për nivelin qendror në Kamenicë kapin verën rreth 14 milion e 557 mijë e 130 euro.

Projektet në Infrastrukturë

Me buxhetin e ri në Komunën e Kamenicës pritet që të asfaltohen disa rrugë të këtij qyteti.

Rruga në lagjen Grizine, rruga ne lagjen Qameria, rruga në qendër si dhe rruga në lagjen Malësia pritet që të kushtojnë 1 milion e 200 mijë euro.

Për këtë projekt janë bartur 200 mijë euro nga buxhetit i vitit 2019, në vitin 2020 nuk planifikohen të shtohen fonde të reja, ndërsa në vitin 2021-2022 pritet të shtohen edhe 1 milion euro.

Edhe disa rrugë në malësinë e Kamenicës pritet të rregullohen, ndërsa rruga Feriqev – Gjyrishevc pritet të asfaltohet, ky projekt do të kushtoj 920 mijë euro.

200 mijë euro për këtë projekt janë bartur nga buxheti i vitit 2019, për vitin 2020 nuk pritet të këtë shtim në buxhet. Ndërsa në vitin 2021 do të shtohen edhe 500 mijë euro ndërsa në vitin 2022 do të shtohen 222 mijë euro.

Edhe bulevardi i qytetit në Kamenicë pritet të ndërtohet.

Për këtë projekt 200 mijë euro do të përdoren nga buxheti i vitit 2019, në vitin 2020 nuk është paraparë të ndahen fonde, ndërsa në vitin 2021 pritet të ndahen 771 mijë 547euro. Në total ky projekt do të kushtoj 971 mijë e 547 euro.

Për rregullimin e ambientit dhe rekreacionit në Kamenicë janë paraparë të shpenzohen 211 mijë 358 euro, nga buxheti i kaluar, ndërsa më buxhetin e ri nuk ka ndonjë fond tjetër.

Për këtë projekt 203 mijë e 181 euro janë shpenzuar deri në vitin 2019, ndërsa 8mijë e 177 euro janë bartur nga viti 2019 dhe deri në vitin 2023 nuk parashihet ndarje e re.

Edhe për projektin për krijimi i hapësirave gjelbëruese dhe rekreative për fëmijë ne Kamenicë pritet të shpenzohen 164 mijë e 126 euro, të gjitha këto nga buxheti i kaluar.

Deri më tani nga kjo shumë janë shpenzuar 14 mijë 126 euro ndërsa 150 mijë euro pritet të shfrytëzohen për pjesën tjetër të projektit.

Edhe projekti i digës për ndërtimin i hidrosistemit Kikë – Kremenat do të bëhet nga buxheti i kaluar.

Ky projekt në total kap vlerën e 1 milion e 43 mijë e 600 eurove, dhe i gjithë ky projekt do të realizohet nga buxheti paraprak.

Deri më tani për këtë projekt janë shpenzuar 793 mijë e 600 euro, 250 mijë euro janë vazhdim nga buxheti i vitit 2019 dhe deri në vitin 2023 nuk do të ketë ndarje tjetër buxhetore për këtë projekt i cili në total kap vlerën e 1 milion e 43 mijë e 600 eurove.

Për projektin për ndërtimin e zonës ekonomike të përbashkët në mes të Komunës së Kamenicës dhe Ranillugut janë planifikuar te shpenzohen 200 mijë euro, projekt i cili është bartur nga buxheti i vitit 2019. Në total ky projekt do të kushtoj 200 mijë euro i gjithë buxheti është trashëguar nga viti i kaluar.

Projektet për Arsim, Kulturë, Sport

Edhe projekti për rregullimin e stadiumit të qytetit në Kamenicë do të rregullohet nga buxheti i kaluar.

Ky projekt pritet të kushtoj 180 mijë e 889 euro, ndërsa tani janë shpenzuar 130 mijë e 889 euro. Ndërsa edhe 50 mijë euro planifikohen të shpenzohen për vitin 2020.

Për renovimin e qendrës rinore në Kamenicë janë ndarë 75 mijë euro të cilat janë bartur nga buxheti i kaluar.

Për ndërtimin e kompleksit Rexhep Malaj në Kamenicë, do të shpenzohen 147 mijë e 75 euro.

Deri më tani janë shpenzuar 47 mijë e 75 euro ndërkohë që 100 mijë euro janë bartur nga buxheti i vitit 2019.

Renovimin e shtëpisë muze e Nuhi Berishës në Sfircë – Kamenicë pritet të kushtoj 253 mijë e 853 euro, nga këto 60 mijë pritet të ndahen në vitin 2021 si dhe 50 mijë në vitin 2022.

Ndërtimi i shkollës së mesme ulët në Busavatë pritet të kushtoj 291 mijë e 117 do të bëhet nga buxheti i kaluar.

Deri më tani janë shpenzuar 276,117, ndërsa edhe 15,000 euro pritet të shpenzohen gjatë vitit 2020.

Ndërsa ndërtimi i sallës së sportit në Kamenicë pritet të kushtojë 200,000 dhe fondet do të ndahen në vitin 2022.

Ndërtimi i shkollës fillore “Fan Noli” në Kamenice pritet të kushtoj1milion e 200 mijë euro. Për këtë vit janë ndarë 200 mijë euro, 300 mijë pritet të ndahen në vitin 2021, ndërsa 700,000 do të ndahen në vitin 2022.

Ndërtimi i Shtatores se Veprimtarit Kombëtar “Metush Krasniqi” Kamenicë ,pritet të kushtoj 60,000 dhe këto para do të ndahen në vitin 2021.

Muzeu “Kadri Zeka” Kamenicë pritet të kushtoj 50,000 dhe fondet do të ndahen nga buxheti i vitit 2020.

Bunkeri i ‘Gjon Serreqit’ në Shipashnicë pritet të kushtoj 30 mijë euro të cilat do ndahen nga buxheti i ri.

Ndërtimi i Shtatores se Isa Kastratit dhe renovimi i lapidareve – Kamenicë 80 mijë euro do të ndahen gjatë këtij viti.