Hoti kritikon Qeverinë, thotë se 1 miliard euro është vlera e projekteve të bllokuara

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës duke thënë se vlera e projekteve kapitale që janë bllokuar shkon deri në 1 miliard euro.

Këtë kritikë Hoti e ka bërë pas vizitës në urën në Rogovë të Hasit, e cila është e dëmtuar nga reshjet e janarit 2021.

Përmes një shkrimi në Facebook, Hoti ka thënë se sipas Komisionit të Ministrisë së Infrastrukturës, ura paraqet rrezik për qarkullim.

Ai ka thënë se deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë veprim për riparimin e kësaj ure.

“Është e pakuptueshme bllokada e projekteve kapitale në gjithë Kosovën: autostrada për Gjilan, rruga për Podujevë, rruga për Mitrovicë, rruga për Gjakovë, rruga Xërxë-Rahovec e shumë projekte të tjera. Dëmet për qytetarë dhe për ekonominë nga vonesa në këto projekte të mëdha janë së paku tri herë më të mëdha se kostoja e këtyre projekteve, një shifër që shkon në 1 miliard euro” – ka shkruar ish kryeministri Hoti.

Sipas tij, kjo qeveri nuk i ka prioritet këto prjekte dhe se nuk do t’i kryejë në mandatin e mbetur.

Kjo shihet edhe nga raporti i buxhetit për periudhën janar-mars 2023, ku pothuajse të gjitha projektet kapitale janë me shpenzime zero. Për më tepër, jo vetëm që nuk i shpenzon mjetet e veta, por qeveria i ka bllokuar edhe shumë projekte të komunave duke mos ua bartuar mjetet vetanake” – ka shkruar në fund Hoti.