Buleshkaj: Ministri Liburn Aliu është tërhequr dhe ka anuluar marrëveshjen me Kolegjin UBT

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, në intervistën në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu me Kolegjin UBT, ku ai është ligjërues.

Buleshkaj ka thënë se vetë Aliu ka dërguar kërkesë në AKK për ta trajtuar këtë ngjarje si rast i konfliktit i interesit, mirëpo gjatë trajtimit ai ka anuluar marrëveshjen.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes të bashkëpunimit, ai e ka sjellë edhe vetë kërkesën për trajtim për konflikt të mundshëm të interesit. Ne e kemi trajtuar rastin dhe gjatë trajtimit të rastit, Liburn Aliu është tërhequr nga marrëveshja dhe është anuluar marrëveshja dhe është arritur rezultati i kërkuar”, ka thënë ai.

KALLXO.com kishte raportuar se në deklarimin e pasurisë të vitit 2021 është parë që ministri Aliu merr pagë nga ky Kolegj ku ushtron profesionin i ligjëruesit.

Sipas Buleshkajt, Kolegji UBT është ende punëdhënës për ministrin Aliu.

“Sipas informatave që kam ai është ende aty, mirëpo nuk është i rregullt por ka orë të cilat i mban aty”, ka thënë Buleshkaj.

Sipas këtij të fundit, nga marrëveshja që ishte lidhur nuk do kishte përfitime financiare për institucionin që ishte pala e dytë, pra Kolegji UBT nuk do fitonte para nga kjo marrëveshje.

Ajo se çka do përfitonte ky Kolegj do ishte praktikë për studentët dhe do të zhvilloheshin disa projekte të përbashkëta nga të cilat as Ministria nuk do të merrte ndonjë obligim financiar.

Mirëpo, ndonëse nga marrëveshja nuk do të kishte ndonjë përfitim në të holla, prapë AKK në bazë të legjislacionit do e ndalonte këtë rast.

“Në këtë rast nuk kemi pasur përfitime financiare të  institucionit me të cilin e ka zhvilluar bashkëpunimin, por ka qenë përfitim i Ministrisë. Por, ligji është shumë i qartë dhe nuk e lejon nënshkrimin”, ka thënë Buleshkaj duke shtuar se UBT nuk do të merrte para. “Ministria ka pasë me marrë shërbime të cilat janë ofruar nga UBT, por edhe studentëve ka qenë dashur t’u ofrohet praktikë dhe të tjerave zhvillime të projekteve të përbashkëta me të cilat ministria nuk ka marrë ndonjë obligim financiar, por prapëseprapë legjislacioni ynë është shumë i qartë dhe e ndalon edhe këtë rast”, theksoi drejtori Buleshkaj.

Më 20 prill të këtij viti, ministri i MMPHI-së kishte nënshkruar marrëveshje me Kolegjin UBT për, siç e ka quajtur ai, ‘fushat e interesit të përbashkët’.

“Sot, nënshkruam marrëveshjen që përcakton kornizat e bashkëpunimit institucional në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Kolegjit “UBT”, në fushat e interesit të përbashkët, në pajtim me kompetencat ligjore, për hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve, elaborateve dhe studimeve të përbashkëta, hulumtime shkencore, organizimin dhe realizimin e forumeve profesionale”, kishte shkruar ai.

KALLXO.com kishte raportuar se në deklarimin e tij të pasurisë të vitit 2021, ministri Aliu ka deklaruar se është paguar nga Kolegji UBT.

Pas kësaj, në po të njëjtën ditë Aliu, kishte reaguar pas kritikave në opinion që kishte marrë për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me Kolegjin UBT.

Në reagimin e tij, ai kishte thënë se të nesërmen do të nënshkruante marrëveshjen me Universitetin e Prishtinës.

“Për të qenë të saktë dhe transparentë, sot ka qenë e planifikuar që të nënshkruhet marrëveshja me Universitetin e Prishtinës. Përkundër vullnetit tonë, në pamundësi për të realizuar këtë sot, nënshkrimi i bashkëpunimit me UP është shtyrë për ditën e nesërme”, kishte shkruar Aliu.

Tutje ai kishte thënë se në asnjë mënyrë, qasja e Ministrisë nuk ka qenë selektuese e as diskriminuese apo favorizuese.

Tutje kishte thënë se qasja e tyre ka qenë në përputhje me të mirën publike dhe me strategjinë e Ministrisë, në interes të projekteve zhvillimore të cilat i kanë në plan t’i realizojnë.

Ai kishte mbajtur premtimin. Të nesërmen, 21 prill 2022, Aliu kishte njoftuar se ishte nënshkruar marrëveshja edhe me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.