Nënshkruhet sot marrëveshja mes UP-së dhe Ministrisë së Mjedisit

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Sipas një njoftimi nga UP, qëllimi i marrëveshjes së nënshkruar nga rektori i UP-së, Naser Sahiti dhe ministri Liburn Aliu, është përcaktimi i kornizave të bashkëpunimit institucional në fushat me interes të përbashkët.

Dje, ministri Liburn Aliu u kritikua për nënshkrimin e një marrëveshje me një kolegj privat me të cilin ai ishte paguar si ligjërues deri në vitin 2021.

Pas reagimit të opinionit, Aliu doli me një sqarim ku tha se sot do të nënshkruhet një marrëveshje e njëjtë me UP-në.

Sot, UP-ja njoftoi se përmes këtij bashkëpunimi, UP-ja dhe Ministria mund të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme, si në: hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve, elaborateve dhe studimeve të përbashkëta; organizimin dhe realizimin e forumeve profesionale në fushat relevante për palët; realizimin e këshillimeve profesionale reciproke, ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët; harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojat e tregut të punës dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore.

“Bashkëpunimi i UP-së me Ministrinë mund të shtrihet edhe në kuadër të bordeve industriale që i kemi në fakultete, sidomos në drejtimet aplikative, ku mund të përfshihen edhe përfaqësues të Ministrisë, për të shkëmbyer përvoja dhe të kontribuojmë në mënyrë reciproke,” ka thënë rektori Sahiti.

Kurse, ministri Aliu theksoi se një marrëveshje e tillë është e domosdoshme për përmbushjen e objektivave të të dyja institucioneve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale.

Ai shtoi që Ministria do të vlerësonte në veçanti bashkëpunimin në nivel të ekspertizave nga ana e UP-së, ku nevoja për një autoritet profesional është shumë e shprehur.

Nënshkrimi i marrëveshjes zyrtarizon zotimin e të dyja palëve drejt implementimit të aktiviteteve të përbashkëta.

KALLXO.com raportoi dje në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes mes ministrit Aliu dhe Kolegjit ‘UBT’.

Aliu nënshkroi marrëveshje me Kolegjin ku sipas deklarimit të pasurisë-2021 merr rrogë si ligjërues