Vladimir Putin - Foto: REL/EPA_EFE

Putin e quan luftën në Ukrainë 'luftë' për herë të parë publikisht

Presidenti rus Vladimir Putin të enjten përdori fjalën “luftë” për t’iu referuar konfliktit në Ukrainë, hera e parë e njohur që Putin devijon publikisht nga përshkrimi i tij i hartuar me kujdes i pushtimit rus të Ukrainës si një “operacion ushtarak special” 10 muaj pasi ka nisur lufta atje.

“Qëllimi ynë nuk është ta rrotullojmë rrotën e konfliktit ushtarak, por, përkundrazi, t’i japim fund kësaj lufte”- u tha Putin gazetarëve në Moskë, pasi mori pjesë në një takim të Këshillit të Shtetit mbi politikën rinore. “Ne kemi qenë dhe do t’i vazhdojmë përpjekjet tona për këtë”.

Kritikët e Putinit thonë se përdorimi i fjalës “luftë” për ta përshkruar konfliktin e Ukrainës ka qenë efektivisht i paligjshëm në Rusi që nga marsi, kur udhëheqësi rus nënshkroi një ligj censurimi që e bën krim shpërndarjen e informacionit “të rremë” rreth pushtimit, me një dënim deri në 15 vjet burg për cilindo të dënuar.

Kështu që përdorimi i fjalës nga Putini nuk kaloi pa u vënë re.

Një zyrtar amerikan ka deklaruar për CNN-it se vlerësimi i tyre fillestar është se vërejtja e Putinit nuk është e qëllimshme dhe me gjasë është një gabim gjuhësor. Sidoqoftë, zyrtarët do ta vëzhgojnë nga afër për të parë se çfarë thonë figurat brenda Kremlinit zyrtar për këtë në ditët në vijim.

Mijëra janë vrarë, fshatra të tëra janë zhdukur dhe miliarda dollarë infrastrukturë janë shkatërruar që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Putini më 24 shkurt të këtij.

Ditën e 24 shkurtit, Putin e përdori termin “operacion special ushtarak” për ta përshkruar sulmin e tij. Ai e ka cilësuar brutalitetin e vazhdueshëm si një fushatë “denazifikimi” – një përshkrim i hedhur poshtë nga historianët dhe vëzhguesit politikë – dhe e ka përshkruar gjithnjë e më shumë pushtimin e paprovokuar të Rusisë si një shkak patriotik dhe pothuajse ekzistencial./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala