Holanda do t’i ndalojë telefonët celularë në klasa

Qeveria holandeze po i ndalon telefonat celularë, tabletët dhe orët inteligjente nga klasat e shkollës në mënyrë që t’i minimizojë shpërqendrimet, përveç nëse pajisjet elektronike janë të nevojshme për studentët.

Ministria e Arsimit e Holandës tha të martën se ndalimi do të zbatohet duke filluar nga 1 janari i vitit 2024.

Do të bëhen përjashtime për mësimet mbi aftësitë dixhitale, ose nëse nxënësit me aftësi të kufizuara ose kushte të tjera mjekësore kanë nevojë për pajisjet.

Ndalimi është rënë dakord nga Ministria e Arsimit, shkollat dhe organizata të tjera.

Ministri holandez i Arsimit Robbert Dijkgraaf ka deklaruar se telefonat celularë nuk i përkasin klasës, edhe pse ata “janë të ndërlidhur tashmë me jetën tonë”.

“Studentët duhet të jenë në gjendje të përqendrohen dhe duhet t’u jepet mundësia për të studiuar mirë. Telefonat celularë janë shqetësim, tregojnë kërkimet shkencore. Ne duhet t’i mbrojmë studentët nga kjo,” ka shtuar ai në një deklaratë.

Dijkgraaf thotë se shkollave do t’u jepet hapësira për ta zbatuar ndalimin sipas planeve të tyre, por paralajmëroi se rregullat ligjore do të zbatoheshin nëse ndalimi nuk zbatohej deri në verën e vitit 2024.

Vendimi holandez pason një të ngjashëm në Finlandë të shpallur javën e kaluar.

Në Gjermani, vetëm shteti i Bavarisë i ndaloi zyrtarisht telefonat celularë në shkolla deri në vitin e fundit akademik, kur ky ndalim u zbut.

Ligjet gjermane të lirisë përgjithësisht e kundërshtojnë ndalimin e telefonave celularë, megjithëse shkollat kanë lirinë t’i nxjerrin rregulloret e tyre./DW