Borrell thotë se propozimi final u është dërguar Prishtinës dhe Beogradit

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimi Evropian, Josep Borrell është deklaruar në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, teksa po merr pjesë në Samitin e BE-së në Tiranë.

Borrell bëri të ditur se propozimi final nga Bashkimi Evropian iu është dërguar dje Prishtinës dhe Beogradit.

“Ky është një moment i rëndësishëm, mosmarrëveshja për targat ka përfunduar tashmë duhet të angazhohen në mirëfilljen në dialog me propozimin që është hedhur në tryezë me mbështetjen e fortë të Gjermanisë dhe Francës dhe i fundit i është dërguar dje edhe Beogradit dhe Kosovës dhe tashmë janë ata që duhet të nisin diskutimet serioze sepse është një moment kur ka një mundësi të madhe” – tha Borrell.

Ai shtoi se nuk mund të tregojë detaje në lidhje me përmbajtjen e dokumentit.

“Nuk e ndaj dot përmbajtjen e dokumentit për dialogun Prishtinë- Beograd. Nuk mendoj se duhet të vendosim afate artificiale është e rëndësishme të punojmë, nuk është e rëndësishme të caktojmë një datë por të punohet me shpejtësi” – theksoi Borrell.

I dërguari i Posaqëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak është takuar sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më të cilin ai tha se ka diskutuar për çështjen e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve si dhe kanë biseduar edhe për çështjet aktuale.

Propozimi franko-gjerman është përmendur që pas takimit të këshilltarëve të presidentit francez, Macron dhe atij gjerman Scholz me kryeministrin Kurti në Kosovë dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri Kurti vazhdimisht ka shprehur gatishmërinë që propozimi i Bashkimit Evropian i mbështetur nga Franca dhe Gjermania të vendoset në tryezë të diskutimeve.

Liderët e Bashkimit Evropian po takohen me homologët e tyre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) në kryeqytetin e Shqipërisë.