Takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes të kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq | Foto: BE

Borrell i fton në takim urgjent Kurtin dhe Vuçiqin

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i ka thirrur për një takim urgjent në Bruksel, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq për të gjetur një rrugëdalje nga kriza aktuale.

Kështu ka njoftuar Borrell përmes një postimi në Twitter, ku ka thënë se situata duhet të shtensionohet menjëherë në veri.

“E kam thirrur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel për takime urgjente për të gjetur një rrugëdalje nga kriza aktuale. Ne kemi nevojë për deeskalim të menjëhershëm dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve. Kjo është parësore për rajonin dhe BE-në” – ka shkruar Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar më 21 qershor për në Itali. Ndërsa sot do të vizitojë Selinë e Shenjtë në Vatikan.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për në Itali. Nesër kryeministri do të vizitojë Selinë e Shenjtë në Vatikan ku do të takohet me Papa Françeskun dhe me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Pietro Parol” – thuhet në njoftimin për media.