Borrell: Dialogu do të vazhdojë, Lajçak takohet javën e ardhshme me kryenegociatorët

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell ka paralajmëruar një takim në nivel të kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq me emisarin Mirosllav Lajçak në Bruksel javën e ardhshme, për të vazhduar siç tha ai, diskutimet për planin e zbatimit të marrëveshjes bazike.

Borrell tha se qëndrimet e të dyja palëve mbesin shumë larg se si implementimi i ujdisë duhet të bëhet dhe se si duhet të vazhdohet procesi i normalizimit.

“Qëndrimet e palëve mbesin shumë larg njëra-tjetrës se si zbatimi i marrëveshjes duhet të bëhet dhe se si duhet të vazhdohet procesi i normalizimit. Siç thamë përpara, ne nuk mund ta duam më shumë normalizimin nëse ata vetë nuk mund të bien dakord se si të vazhdojnë përpara, ne nuk mund t’i zëvendësojmë ata në implementimin e marrëveshjes. Roli ynë është ti asistojmë dhe t’i mbështesim palët në përpjekjet e tyre në procesin e dialogut dhe kjo është ajo çka ne ende jemi të përkushtuar ta bëjmë”- ka deklaruar Borrell në konferencë për media.

“Procesi do të vazhdojë, ne do vazhdojmë të punojmë në të dhe emisari Lajçak do t’i mirëpres dy kryenegociatorët në Bruksel javën tjetër për të vazhduar diskutimet në planin e zbatimit të marrëveshjes dhe gjithashtu edhe çështje të tjera të dialogut”- theksoi ai.

Shefi i diplomacisë së BE-së tha se tashmë është në dorë të palëve që të tregojnë konstruktivitet dhe të mundësojnë që procesi i dialogut të vazhdojë përpara.

“Tash është në dorë të palëve të tregojnë konstruktivitet dhe të mundësojnë që procesi të vazhdojë përpara. Ne vazhdojmë të besojmë se kjo është në interesin e tyre dhe në interesin e aspiratave të integrimit europian. Besoj se do guxim, vizion dhe vullnet politik nga liderët që e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë dhe ne si Be qëndrojmë të gatshëm të ndihmojmë”- është shprehur Borrell.

Një takim trepalësh ishte planifikuar që të ndodhte sot mes Kurtit dhe Vuçiq, me ndëmjetësim të BE-së. Mirëpo, sipas Borrell tha se Kosova nuk ishte e gtashme për takim trepalësh, teksa theksoi se Kurti kishte prezantuar tri kushte për angazhimin e tyre të mëtejmë në procesin e normalizimit.

“Po e citoj: ”E para formalizmi i marrëveshjes bazike përmes nënshkrimit nga shefat përkatës të qeverive; E dyta tërheqja e letrës zyrtare që u dërgua nga ish-kryeministrja e Serbisë, më 13 dhjetor 2023”, po flasim ende për gjëra që kanë ndodhur gjashtë muaj më parë dhe “E treta; dorëzimi i Milan Radoiçiq dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, këto ishin tri kërkesat e prezantuara nga kryeministri Kurti”- ka deklaruar Borrell t’i ketë thënë Kurti.

Borrell tha se Serbia nuk ishte e gtashme që t’i plotësoj në tërësi kushtet e Kosovës, duke u cituar në shkelje kushtetuese.

Dy liderët për herë të fundit u takuan më 14.09.2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.

Në anën tjetër, në mars të vitit 2024, është bërë një vit qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Kosova merrte obligime për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura më herët, përshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Dhe, me gjithë pritjet se gjërat po merrnin rrjedhë pozitive, zhvillimet e mëvonshme në terren quan procesin në kah krejt të kundërt. E marrëveshja mbeti vetëm në letër.

Borrell: Kosova nuk ishte e gatshme për takim trepalësh, Kurti paraqiti tri kushte