Kryeministri britanik, Boris Johnson

Boris Johnson kalon natën e dytë në kujdes intensiv

Kryeministri britanez, Boris Johnson, ka kaluar një natë të dytë në kujdes intensiv, pasi po vazhdon të marrë trajtim për COVID-19.

Sipas BBC, Sekretari i Jashtëm, Dominic Raab, i cili është deputet nga partia e Kryeministrit, të martën tha se është i sigurt që Kryeministri do të shërohet nga kjo sëmundje.

Duke folur në një konferencë, Raab tha se kryeministri Johnson po merr trajtim standard me oksigjenin dhe po merr frymë pa ndonjë ndihmë, siç është ventilimi mekanik.

Kryeministri britanez, Boris Johnson, u shtrua në spitalin ‘Shën Thomas’ të Londrës, të dielën, me këshillën e mjekut të tij, pasi ai vazhdonte të shfaqte simptoma të kollës dhe të temperaturës së lartë, 10 ditë pas testimit pozitiv me COVID-19.