Kryesuesi i BBC-së jep dorëheqjen pas polemikave mbi përfshirjen e tij në marrëveshjen e huasë për ish-kryeministrin Boris Johnson

Kryesuesi i “British Broadcasting Corporation (BBC), Richard Sharp, dha dorëheqjen të premten pasi një raport bëri të ditur se ai nuk zbuloi përfshirjen e tij në lehtësimin e një kredie prej gati 1 milion dollarësh për ish-kryeministrin britanik Boris Johnson.

Sharp pretendon se shkelja ishte “e paqëllimshme dhe jo materiale”, megjithatë ai po dorëhiqet për t’i “përparuar interesat e BBC-së”. Sharp e kishte mohuar më parë përfshirjen në marrëveshje ose një konflikt interesi pasi huazimi kishte ndodhur para emërimit të tij si udhëheqës i transmetuesit publik.

Megjithatë, raporti i Adam Heppinstall zbuloi se Sharp “dështoi të zbulonte konfliktet e mundshme të perceptuara të interesit” për panelin ndërpartiak të deputetëve, i cili i këshilloi ministrat se kë të emëronin.

“Mund të ketë ekzistuar rreziku i një perceptimi se zoti Sharp nuk do të ishte i pavarur nga ish-kryeministri nëse emërohej”, thuhet në raport.

“Të dyja këto moszbulime shkaktuan një shkelje të Kodit të Qeverisjes sepse Paneli nuk ka qenë në gjendje në atë kohë t’i këshillonte Ministrat për këto çështje”.

Ish bankierit iu bë presion për të dhënë dorëheqjen pasi u raportua se ai veproi si ndërmjetës kur ish kryeministri britanik Johnson po kërkonte të siguronte kredinë, disa javë përpara se ky i fundit ta emëronte Sharp-in në postin e tij në vitin 2021. Sharp u tha ligjvënësve në shkurt se ai “nuk e ka rregulluar kredinë”, duke sugjeruar se ai ka vepruar si “një lloj agjencie prezantimi”.

BBC, e financuar nga një tarifë licence prej 193 dollarësh e paguar çdo vit nga çdo familje që zotëron një televizion ose shikon përmbajtje, është përfshirë në polemika këtë vit pasi e pezulloi prezantuesin e saj yll të futbollit Gary Lineker për kritikat e tij rreth politikave të migracionit të qeverisë.

Lineker e kishte krahasuar një ligj të ri të diskutueshëm që ka si qëllim bllokimin e emigrantëve pa dokumenta që të hyjnë në Britani të Madhe me anije të vogla dhe sloganin e tij të ngarkuar “Stop the Boats”, me gjuhën e përdorur në Gjermaninë e viteve 1930 – një krahasim që tërhoqi një reagim të zemëruar nga pjesë të mediave të së djathtës britanike dhe disa ligjvënës në Partinë e saj Konservatore në pushtet./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala