Rishi Sunak kryeson raundin e parë të votimit për ta zëvendësuar kryeministrin në largim, Boris Johnson

Gjashtë kandidatë, përfshirë ish-ministrin e Financave Rishi Sunak, janë tani në garë për ta zëvendësuar Boris Johnsonin si udhëheqësin e Partisë Konservatore. Votimi do të vazhdojë javën e ardhshme derisa të mbeten vetëm dy prej kandidatëve.

Ligjvënësit konservatorë në Parlamentin Britanik i hodhën votat e tyre në raundin e parë të mërkurën për ta zgjedhur një kandidat të mundshëm për ta zëvendësuar kryeministrin në largim Boris Johnson si udhëheqësin e partisë dhe kështu udhëheqësin e vendit.

Ish-ministri i Financave Rishi Sunak kryeson pesë kandidatë të tjerë që kaluan në raundin e parë të votimit.

Ministri i Financave Nadhim Zahawi dhe ish-sekretari i Jashtëm Jeremy Hunt u eliminuan nga gara pasi nuk arritën të arrinin pragun e 30 votave në votimin e fshehtë.

Pas eliminimit të tij nga gara, Hunt njoftoi se do ta mbështesë Sunak për postin e kryeministrit.

“Rishi është një nga njerëzit më të denjë, të drejtë dhe me standardet më të larta të integritetit që kam takuar ndonjëherë në politikën britanike”, u citua të ketë thënë Hunt nga Sky News. Dhe kjo është arsyeja pse unë do të isha krenar që ta kisha atë si kryeministrin tim të ardhshëm”.

Çdo raund do t’i eliminojë kandidatët me mbështetjen më të vogël derisa të mbeten vetëm dy, në të cilën pikë anëtarët e partisë bazë do ta zgjedhin fituesin final. Në praktikë, disa ligjvënës shpesh e tërheqin kandidaturën e tyre, duke e përshpejtuar procesin.

Votimi i parë vjen pas seancës përfundimtare të Johnson për Pyetjet e Kryeministrit, në të cilën qeveria refuzoi të linte kohë debati për një mocion mosbesimi të paraqitur nga Partia Laburiste e opozitës – një vendim që disa e kanë kritikuar si jokushtetuese.

Kush janë pretendentët kryesorë?

Sunak, dorëheqja e të cilit javën e kaluar erdhi si një prelud befasues i ngjarjeve që përfundimisht e panë Johnsonin duke thënë se ai më në fund do të largohej, është një nga favoritët për postin e lartë.

Ai mori 88 vota në votimin e së mërkurës, përpara ministres të tregtisë Penny Mordaunt me 67 vota dhe Sekretares së Jashtme Liz Truss me 50 vota.

Sunak premtoi të përballet me sfondin e vështirë ekonomik me “ndershmëri, seriozitet dhe vendosmëri”, në vend që ta grumbullojë barrën mbi brezat e ardhshëm.

Ai tha se nuk është e besueshme të ofrojë më shumë shpenzime dhe taksa më të ulëta, duke thënë se po ofron ndershmëri, “jo përralla”.

Ndërkohë, një sondazh i YouGov me afro 900 anëtarë të partisë zbuloi se Mordaunt ishte favorit, duke mposhtur cilindo nga të tjerët në balotazh.

Raundet e tjera të votimit do të zhvillohen të enjten dhe, nëse është e nevojshme, javën e ardhshme.

Pasardhësi i Johnson pritet të zgjidhet më 5 shtator./DW

Përgatiti: Nuhi Shala