Pajisja e prishur shtyn operacionet në Spitalin e Gjakovës, përveç rasteve urgjente

Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës “Isa Grazda” ka 6 javë që po realizohen vetëm operacione të rasteve urgjente. Kjo për shkak të një defekti të paraqitur në pajisjen e quajtur ‘autoklavë’, e cila bën sterilizimin e manteleve, fashave e pajisjeve të tjera kirurgjike.

Për rastet urgjente, drejtori i Spitalit të Gjakovës, Jeton Zarari, tregoi se po i vijnë në ndihmë Spitali i Pejës dhe ai i Prizrenit duke e bërë sterilizimin atje.

“Kemi të bëjmë më një defekt në pajisjen e quajtur autoklavë nga data 6 dhjetor 2022, ku si pasojë e këtij defekti janë punuar vetëm rastet urgjente, duke i përjashtuar operimet elektiv” – tha Besart Gashi, zyrtar për informim në këtë spital.

Rregullimi i pajisjes pritet të bëhet së shpejti, pasi që spitali më 12 janar ka nënshkruar kontratën në vlerë 13 mijë euro për riparim brenda 30 ditëve.

“Spitali i Përgjithshëm Gjakovë e ka shpallur tenderin për riparim të kësaj pajisje më 19.12.2022, ndërsa më datë 12.01.2023 është nënshkruar kontrata për riparim në afat 30 ditësh” – thuhet në përgjigjen e spitalit.

Një qytetar në kushte anonimiteti tregoi për KALLXO.com që ka një muaj që djali i tij pret t’a bëjë heqjen e thoit nga mishi në këtë spital, por për shkak të këtij defekti nuk është realizuar ende. Prandaj, ai tha që i duhet që trajtimin e nevojshëm ta marrë në ndonjë klinikë apo spital privat.

Megjithatë, drejtori i Spitalit të Gjakovës, Jeton Zarari, tha se ky intervenim mund të kryhet në ambulancat specialistike në kuadër të spitalit dhe nuk ka nevojë që të futet në sallë të operimit.

Ai tha që ky defekt ka shtyrë vetëm operimet e planifikuara që kryhen nën anestezion të përgjithshëm.

KALLXO.com ka kontaktuar sërish me palën lidhur me këtë deklaratë të drejtorit. Ai tha se prej Ambulancës specialistike është udhëzuar për te kirurgu dhe sipas tij kirurgu vazhdimisht i ka thënë që duhet të presë deri në rrregullimin e defektit.

Përveç riparimit të autoklavës së dëmtuar, një tender i ri, Zarari tha se do të hapet javën tjetër edhe për blerjen e një të tille të re, për të cilën tha se do ta zgjidhë këtë problem për 10-15 vjet.

Në dhjetor të vitit 2022 në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës janë kryer 117 operime ndërsa në dhjetor të vitit 2021 janë kryer 62 më shumë, saktësisht 179 operime.