Foto: Denis Sllovinja /Termocentral , Obiliq , Kek

Bordi i KEK-ut largon nga puna përkohësisht punëtorët ‘ndaj të cilëve ka filluar procedura penale’

Bordi i Ndërmarrjes Publike Korporata Energjetike e Kosovës “KEK” ka marrë vendim që të gjithë punëtorët ndaj të cilëve është duke u zhvilluar një procedurë penale, të largohen nga puna përkohësisht.

Vendimi, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thotë se do ta zbatoj nenin 73 të Ligjit të Punës i cili flet për largimin e përkohshëm nga puna.

“Obligohet menaxhmenti i KEK-ut që të zbatoj dispozitën e nenit 73 të ligjit të punës, ashtu që duhet të largohen përkohësisht nga puna të gjithë të punësuarit e KEK-ut ndaj të cilëve ka filluar procedura penale për shkak të dyshimit të bazuar të kryerjes së ndonjërës prej veprave penale të parapara në kapitullin: Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare”, thuhet në vendim.

Bordi ka bërë thirrje të gjithë punonjësve që të lajmërohen për të deklaruar nëse kanë telashe me ligjin.