Foto: Mirosllav Lajçak / Twitter

Bislimi: Tema e arkivave shtetërore nuk është diskutuar

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit me palën serbe dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Serbi-Kosovë, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se tema e arkivave shtetërore as nuk është hapur në asnjë takim.

Sipas Bislimit, publikimet në mediat serbe se është arritur marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave nga arkivat është krejtësisht lajm i rrejshëm.

“Kjo është një prej arsyeve që është dashur të ndodhë takimi trilateral, në mënyrë që këto budallallëqe të mos nxirren në media. Në asnjë rast nuk është prekur dhe as përmend tema e arkivave. As në takim bilateral e as në trilateral. Kjo është shqetësim serioz se si Beogradi e adreson çështjen e dialogut. Unë nuk e di se cilës kuzhinë i ka shërbyer ky lajm, por është krejt i pavërtetë dhe as nuk është hapur si temë”, ka deklaruar Bislimi pas takimit për çështjen e reciprocitetit me targa.

Dje ka dështuar arritja e marrëveshjes për targat ndonëse ka qenë dita e fundit kur ka mundur të arrihej.

“Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe”, ka deklaruar Bislimi pas takimit.

Grupet e negociuesve janë takuar disa herë në Bruksel gjatë këtyre gjashtë muajve që nga arritja e një marrëveshjeje të përkohshme por duket që nuk kanë bërë shumë progres.

Në fund të shtatorit 2021, për të ndaluar bllokadën 13 ditore në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të organizuar nga qytetarët serbë të veriut të Kosovës dhe të mbështetur nga Beogradi, u arrit një marrëveshje e përkohshme.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje simbolet shtetërore të të dy shteteve janë mbuluar në targat e veturave që nga 4 tetori 2021.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011.

Besnik Bislimi: Nuk ka marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave