Foto: Besnik Bislimi/ Facebook.

Bislimi në takim me Sarrazin: Serbia refuzon arritjen e marrëveshjeve për targat dhe energjinë

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka pritur sot në takim emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Në këtë takim, Bislimi ka shkruar se ka njoftuar Sarrazin se Kosova vazhdon të jetë pala konstruktive në dialogun Kosovë-Serbi.

Bislimi ka thënë se Serbia është pala që vazhdon të refuzojë arritjen e marrëveshjeve.

“Për sa i përket dialogut, potencova se Kosova vazhdon të jetë pala konstruktive në këtë proces, përderisa pala tjetër vazhdon të refuzojë takimet trilaterale dhe tentativat tona të përbashkëta me BE për arritjen e marrëveshjeve për targat e veturave dhe energjinë”, ka thënë Bislimi.

Bislimi në këtë takim ka thënë se qytetarët e Kosovës meritojnë të lëvizin të lirë në zonën Schengen dhe se zhvillimi që ka njohur Kosova e bën të detyrueshëm angazhimin maksimal në arritjen e objektivave në rrugën drejt BE-së dhe drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Delegacionet shtetërore nga Kosova dhe Serbia dështuan dje të arrijnë një marrëveshje për targa gjatë një takimi të ndarë që patën me ndërmjetësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak.

Bislimi deklaroi për media pas takimit në Bruksel, se arsyeja pse nuk ka marrëveshjes është se pala serbe iku për aeroport dhe nuk ka mundur të qëndrojë deri në fund.

Ai tha se pala serbe kishte informuar ndërmjetësin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak se do të vinte me propozim konkret për çështjen e targave në harmoni me kriteret e parapara me marrëveshjen e 30 shtatorit.

“Fatkeqësisht ne pamë një sjellje shumë të çuditshëm të palës serbe e cila thoshte se kemi një ide, po nuk mund ta shpalosim, kemi probleme politike nuk mund ta sjellim. Në këtë drejtim udhëtimi ka qenë krejt i kotë, për arsye se si duket se ata kanë ardhur në Bruksel vetëm sa për të dhënë lajmin për media se ata dëshirojnë të bisedojnë, mirëpo kanë ardhur pa kurrfarë propozimi dhe zgjidhje”, tha Bislimi.

Besnik Bislimi: Udhëtimi në Bruksel ishte i kotë