Bislimi informon kabinetin qeveritar për zbatimin e MSA-së për vitin 2022

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi ka informuar kabinetin qeveritar për zbatimin e marrëveshjes se Stabilizim – Asociimit në 2022.

Bislimi tha se përmbajtja ka pasur mbi 200 masa afatshkurtra dhe prej tyre janë zbatuar 60%.

“Siç e dini përmbajtja ka pasur mbi 200 masa afatshkurtra. Deri në fund të periudhës raportuese janë zbatuar 136 masa apo 60% e planit ndërsa pjesa tjetër janë në zbatim e sipër. Nga ligjet qeveria ka miratuar 16 ndërsa 21 janë bartur këtë vit” – tha Bislimi.

Bislimi ka përmendur disa nga ligjet e miratuara në kuadër të masave.

“Disa nga Ligjet që janë miratuar përfshinë, projektligji për pagat, projektligji për zyrtarët publikë, projektligji për ekzekutimin e sanksioneve, projektligji për arsimin e lartë, projektligji për mbrojtjen e konsumatorit, projektligji për sanksionet ndërkombëtare etj”- njoftoi Bislimi.

“Tek kriteret ekonomike kanë qenë 3 masa dhe janë zbatuar 2. Jemi në fazën e hartimit të programit për vitin 2023-27. Ky plan së shpejti do të shkojë në konsultim publik dhe më pas qeveri e në pas në Kuvend”- shtoi ai.

Ndërkaq, kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se viti ka qenë ndër më të suksesshmit në programin e zbatimit të reformave nga agjenda evropiane

“Viti 2022 ka qenë ndër vitet më të suksesshme në programin e zbatimit të reformave nga agjenda evropiane sa i përket progresit të arritur nga ne. Si Qeveri i kemi dhënë prioritet. Ky progres është konfirmuar edhe nga ana e raportit për vendit tonë të publikuar nga Komisioni Evropian”- tha Kurti.