
BIRN shfaqi dokumentarin "Varfëria nga shpëlarja e parave"
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN Kosova, më 28.03.2025, publikoi dokumentarin mbi pastrimin e parave me elemente ndërkufitare.
Në ngjarjen e zhvilluar në ambientet e “Reporting House” mori pjesë ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurori të Shtetit Besim Kelmendi, përfaqësues të Ambasadave në Kosovë dhe përfaqësues të institucioneve kompetente për zbatimin e Ligjit.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu falënderoi ekipin që punoi në realizmin e dokumentarit, që shpërfaq format e ndryshme të shpëlarjes së parave.
“Faleminderit për ftesën dhe punën e jashtëzakonshme që e bëni dhe na ndihmoni neve t’i adresojmë këto probleme. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një betejë për të ardhmen tonë dhe ne pajtohemi që korrupsioni godet themelet e shtetit tonë. Prandaj, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë hapa të nevojshëm për t’i luftuar këto fenomene. Në vitin 2024 kemi ekstraduar 32 persona. Mes tyre ka pasur individ të cilët përfshihen në grupe te drogës. Në dhjetor është zbuluar një rrjet i madh i trafikimit të armëve.” – tha Albulena Haxhiu – Ministre e Drejtësisë.
Sipas saj, kjo tregon faktin se Kosova nuk është strehë e krimit, por i lufton këto dukuri.
“Këto veprime tregojnë qartë se Kosova nuk është strehë e krimit. Sfidë mbetet anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe Interpol-it. Pastrimi i parave lidhet ngushtë me krimin dhe korrupsionin, prandaj kemi forcuar mekanizmat për të luftuar këtë fenomen. Qeveria mbetet e palëkundur në këtë luftë. Por, duhet të pajtohemi që këtë luftë duhet ta bëjmë së bashku.” – shtoi Haxhiu.
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit Besim Kelmendi tha se kjo dukuri do ta përcjellë shoqërinë çdo ditë e më shumë.
“Është një prej dukurive që do të na përcjellë çdo ditë e më shumë. Vepër penale që jo veç ne, por të gjithë partnerët janë të interesuar ta luftojnë këtë dukuri. Ne kemi bashkëpunim me Bankën Qendrore, ATK-në dhe institucione të tjera financiare, në vend që ta përcjellim këtë fenomen. Po ashtu, edhe me Këshillin e Evropës. Jemi ndër vendet më të suksesshme në raportet e Këshillit të Evropës për parandalim të kësaj dukurie. Ne kemi identifikuar çdo ditë njerëz nga fusha të ndryshme që lakmojnë të përfitojnë para nga forma të ndryshme. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me juve që ju kemi partner në luftën e parandalimit të çdo dukurie negative.” – tha Kelmendi.
Kreshnik Gashi nga KALLXO.com tha se dokumentari tregon qartë se si politikanët kanë mbijetuar nga paratë e shpëlara. Qëllimi i dokumentarit sipas tij ka qenë ndërrimi i mentalitetit ballkanik – mentalitet ku paratë e shpëlara i sheh si mundësi për pasurim.
“Dokumentari na tregon që shumë njerëz u obliguan të emigrojnë prej vendeve të tyre të lindjes, për shkak se krimi i organizuar krijoi biznese jokonkurrente. Dokumentari na tregon që qytetarët e thjeshtë nuk arrijnë të blejnë banesa në vendet ku kanë lindur, për shkak se bizneset e krimit i kanë rritur çmimet. Dokumentar që na tregon që shtetet amnistuan paratë e krimit dhe sot biznesmenët e krimit e kontrabandës janë dominues në disa Sektorë të Ekonomisë. Dokumentari na e thotë qartë se qindra-miliona euro të krimit të organizuar dhe evazionit fiskal shpëlahen në ekonomitë tona dhe kjo duhet të ndalet.” – tha Gashi.
Drejtoresha Ekzekutive e Rrjetit Ballkanik për Gazetarinë Hulumtuese (BIRN Kosova), Jeta Xhara tha se ambienti në Reporting House mbledh historinë e Kosovës deri në vitin 2000, kurse dokumentari që u shfaq pikërisht në këtë hapësirë tregon sfidat me të cilat po përballet shoqëria kosovare pas luftës.
Dokumentari mbi pastrimin e parave me elemente ndërkufitare u realizua nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, në bashkëpunim me Ambasadën e Britanisë në Kosovë.