
Drejtoresha e BIRN, Jeta Xharra Foto: Fioralba Kryemadhi - KALLXO.com
BIRN organizon konferencën e nivelit të lartë për Ditët e Energjisë së Gjelbër 2022
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN sot ka organizuar konferencën e nivelit të lartë në kuadër të aktiviteteve për Ditët e Energjisë së Gjelbër.
Në hapjen e kësaj konference zëvendësshefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Annacarin Platon tha se situata mjedisore është keqësuar në Kosovë ne vitet e fundit për shkak të rritjes së ndërtimeve, trafikut dhe ndotjes industriale duke përfshirë edhe ndotken nga termocentralet dhe ngrohja shtëpiake e qytetarëve.
“Ky zhvillim duhet të kthehet dhe duhet të ndodhë tani. Ne e dimë që kjo është një sfidë e pamasë për Qeverinë e Kosovës, shoqërinë civile, industritë dhe gjithkë tjetër të përfshirë, përfshirë edhe ne. Por ne jemi të gatshëm t’iu mbështetim. Kosova duhet të jetë pjesë e ambicies sonë – ambicies së BE-së – për tranzicion të qëndrueshëm të gjelbër në Evropë, Marrëveshjes së Gjelbër. Për ta arritur këtë, Kosovës iu nevojiten objektiva ambicioze afatgjata në përputhje me agjendën e gjelbër të miratuar në Samitin e Sofjes në 2020”, tha Planton.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në këtë ngjarje tha se sektori i energjisë për një kohë të gjatë është parë si sektor i izoluar.
Osmani ka përmendur disa nga rezultatet e politikave, sipas saj të gabuara e të vonuara në sektorin e energjisë dhe mjedisit.
“Tejkalimi i nivelit të grimcave, numri i lartë i sëmundjeve respirative, ambientet publike të ngulfatura nga pluhuri dhe kaosi urban janë rezultat i neglizhencës në mbrojtjen e mjedisit dhe rezultat i politikave të gabuara dhe të vonuara për një kohë të gjatë në sektorin e energjisë dhe mjedisit”, ka thënë Osmani.
Në konferencën e organizuar nga BIRN në kuadër të shënimit “Ditët e energjisë së gjelbër 2022”, Osmani ka folur edhe për gjendjen e termocentraleve në Kosovë dhe situatën e krijuar me shtrenjtimin e energjisë.
“Si rezultat i prishjes së termocentraleve së vjetruara, vendi u detyra të ju orientohet drejt importeve e se bashku me importin e energjisë elektrike u importuan edhe çmime të larta”, ka thënë Osmani.
E para e vendit tutje ka thënë se përderisa Evropa duhet të gjej bilancin e duhur për garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike, sfidat në Kosovë dhe terë rajonin mbeten serioze.
Osmani ka thënë se po punohet në mënyrë që të jetësohet agjenda e gjelbër në Kosovë.
“Unë besoj shumë në agjendën e gjelbër dhe do te punojmë që të jetësohet në vendin tonë. Sot jam këtu për të përçuar mesazhin që përkundër faktit që e tashmja mund të duket sfiduese të ardhmen duhet ta kemi të qartë, e ardhmja është e gjelbër”, ka thënë ajo.
“Ditët e Energjisë së Gjelbër” është një seri aktivitetesh që BIRN Kosova me partnerët e tij organizojnë për herë të dytë në kuadër të projektit “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.
Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.