Arkivat e prokurorisë në Mekanizmin Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë. Foto: IRMCT

BIRN financon projekte për të hulumtuar arkivat e rasteve të krimeve të luftës

BIRN ka dhënë grante për 13 gazetarë, historianë, artistë dhe aktivistë për projekte që eksplorojnë arkivat e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe gjykatat vendase në vendet e ish-Jugosllavisë që janë marrë me raste krimesh lufte.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative ka përzgjedhur 13 gazetarë, historianë, artistë dhe aktivistë të cilët do të marrin grante për të krijuar projekte të vogla bazuar në arkivat e gjykatës së OKB-së për krimet e luftës në Hagë dhe gjykatat vendase në vendet ish-jugosllave.

Përfituesit e granteve do të kryejnë kërkime, do të mbledhin dokumente dhe do të gërmojnë më thellë në arkivat e gjykatave për të realizuar projekte rreth çështjeve të drejtësisë dhe luftërave jugosllave.

BIRN fillimisht planifikoi të financonte dhjetë projekte të vogla, por për shkak të numrit të madh të aplikimeve me cilësi të lartë, vendosi të rrisë numrin e granteve dhe të financojë 13 përfitues grantesh për të eksploruar arkivat e gjykatave.

Projektet do të përfshijnë artikuj gazetaresk, workshop-e edukative, punë kërkimore, një film dokumentar, punë audio vizuale dhe një projekt vizual.

Ata do të eksplorojnë tema të tilla si dhuna me bazë gjinore, kujtesa, viktimat rome të luftës, dëshmitë e dëshmitarëve, krimet e luftës, dhuna seksuale, përvoja e grave në luftë dhe roli i fotografisë në ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Nejra Mulaomerovic, bashkëpunëtore programi në programin e BIRN-it për Drejtësinë Tranzicionale në Ballkan, tha se arkivat luajnë një rol të rëndësishëm për t’u siguruar që e kaluara të dokumentohet siç duhet.

“Vetë arkivat nuk janë një garanci për mos përsëritjen e konflikteve, por nëse përdoren nga aktorë të ndryshëm me prejardhje të ndryshme kërkimore dhe akademike, ato mund të kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe mund të përdoren si mjete për të ndezur dialogun dhe për të frymëzuar të tjerët që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të kërkuar drejtësi dhe të vërtetën”, tha Mulaomerovic.

“Me këto grante, BIRN vazhdon të mbështesë aktivistë, artistë, historianë dhe gazetarë për të rritur njohuritë për rolin e arkivave në proceset e drejtësisë tranzicionale”, shtoi ajo.

Përfituesit e përzgjedhur për grantet do të punojnë në projektet e mëposhtme:

Aline Cateux do të hulumtojë rastet e masakrave të Uborak dhe Sutina dhe do të shkruajë tre artikuj gazetaresk.

Amer Alija do të zhvillojë trajnime dhe do të mbajë leksione për gazetarët e rinj se si të hulumtojnë arkivat e gjykatave për krimet e luftës në Kosovë.

Fortesa Kabashi do të kryejë një studim mbi dëshmitë e viktimave të luftës në Kosovë në Gjykatën e Hagës lidhur me dhunën seksuale.

Hamza Karcic do të eksplorojë rolin e nismave të paqes dhe ndërmjetësuesve gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje dhe Hercegovinë.

Kate Powers do të shqyrtojë konsistencën e gjykatave kombëtare kur vlerëson dëshmitë e dëshmitarëve në ndjekjet penale të krimeve të luftës.

Kumjana Novakova do të realizojë një punë të shkurtër audiovizive që gjurmon përvojat e dhunës të grave gjatë kohës së luftës.

Ljupka Mandic do të shënojë në hartë vendet e vuajtjes të viktimave rome në Kosovë.

Medina Delalic do të analizojë dëshmitë e gjykatës në lidhje me takimin e vitit 1991 në Karagjorgjevë midis Franjo Tudjman dhe Sllobodan Millosheviç.

Miodrag Kojadinovic do të eksplorojë dhe analizojë perspektivat “queer” mbi punën e Gjykatës së Hagës.

Ron Haviv, Lauren Walsh dhe Srdjan Sarenac do të realizojnë një dokumentar që tregon historinë se si një foto ikonë e një krimi lufte në Bosnje dhe Hercegovinë krijoi një impakt në kërkimin për drejtësi.

Sara Milenkovska do të hulumtojë implikimet për pajtimin e dhunës me bazë gjinore në krimet e luftës.

Selma Catovic Hughes do të krijojë një projekt vizual që eksploron temat e kujtesës dhe kohës bazuar në dëshmi të dokumentuara, raporte ushtarake dhe dëshmi të rrethimit të Sarajevës.

Una Sabljakovic do të hulumtojë rolin e oficerit të lartë serb të Sigurimit të Shtetit Vasilije Mijoviç dhe grupit paraushtarak Akrepat në luftërat jugosllave.

Skema e granteve është pjesë e projektit për Përmirësimin e Llogaridhënies dhe Proceseve të Memorializimit në Ballkan, financuar nga Programi Rajonal Matra për Sundimin e Ligjit dhe është pjesë e Programit të Drejtësisë Tranzicionale të BIRN, një nismë rajonale që synon të përmirësojë të kuptuarit e publikut të gjerë për drejtësinë tranzicionale në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Serbi.