BIK uron besimtarët për festën e Kurban Bajramit

Zëvendëskryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Reshat Mexhidi, ka uruar të gjithë besimtarët në rastin e festës së Kurban Bajramit.

“Nesër (ditë e diele), është dita e parë festës së Kurban Bajramit të cilën besimtari e zbukuron me faljen e namazit me përkushtim, sakrificë e flijim therjen e Kurbanit vetëm për hir të Allahut” tha Mexhidi.

Ai tregoi edhe të mirat me të cilat karakterizohet feta e Kurban Bajramit.

“Festa e Kurban Bajramit reflekton mënyrën më të mirë për mësimet hyjnore për barazi, drejtësi, unitet, solidaritet, bamirësi e sakrificë, parime këto që bëjnë njerëzimin të manifestoj në të mirën dhe në atë që e do Krijuesi i gjithësisë”, deklaroi të shtunën para gazetareve hoxhë Reshat Mexhidi.

“Kurban Bajrami vjen pasi besimtarët kryejnë haxhin dhe therin Kurbanin, në haxh besimtarët shprehin në mënyrën më të mirë barazinë e unitetit, që shfaqet në një atmosferë krejt të veçantë”, tha ai.

Në fund, i dyti nga BIK kërkoi nga besimtarët që të jenë më human në këto ditë të festës së Kurban Bajramit.

“Në këtë ditë festë e gëzimi ftoj të gjithë njerëzit vullnet mirë që të jenë human e solidarë, më mëshirues e tolerant, të ndihmojnë njëri-tjetrin, skamnorët, jetimët, të ngratët, të vetmuarit dhe të gjithë ata që kanë nevojë. Njerëzimi duhet të kultivojë vlera për një jetë më të mirë, për një shoqëri të shëndoshë, për një unitet dhe vëllazëri të mirëfilltë”, tha në urimin e tij Mexhidi.