Si të ushqehemi për Bajram?

Festa e  Bajramit karakterizohet me tryeza të përgatitura në mënyrë speciale.

Zakonisht, për Bajram përgatitet llojllojshmëri e ushqimeve dhe ëmbëlsirave, të cilat pothuajse çdo herë janë edhe shumë kalorike.

Kujdesi për Bajram duhet të qëndrojë si në mënyrën e përgatitjes së këtyre ushqimeve, ashtu edhe në kujdesin gjatë konsumimit, qoftë në shtëpi apo te familjarët, thotë për KALLXO.com, dietologia Vala Pupovci.

“Mishi është një prej ushqimeve kryesore në pjatën e Bajramit, prandaj mu për këtë ditë të ngarkuar me kalori duhet të përzgjedhet mishi me më pak yndyrë. Nga mishrat, është mirë të përdoret mishi i pulës apo peshkut. Mirëpo, meqënëse tek ne ende ekziston shprehia e përgatitjes së mishit të kuq, të përzgjidhen mishrat më pak yndyrë, në vend të mishit të lopës, të zgjidhet mishi i viçit.” thotë ajo.

Sipas Pupovcit nëse konsumohet mishi i qingjit, do të ishtë mirë gjithmonë të hiqet yndyra që mund t’a shohim.

“Përgatitja e ushqimeve me më pak yndyrë të shtuar duhet aplikuar gjatë tërë kohës, përfshirë këtu edhe Bajramin. Zgjidhni vaj të shëndetshëm për përgatitje, siç është vaji i ullirit, dhe mundohuni të shtoni jo më shumë se 1 lugë gjelle vaj ulliri për secilin person” thotë ajo.

Sipas saj për të mos e tepruar me sasinë e mishit, në pjatë nuk duhet të mungojnë shtojcat siç janë buka, patatet, orizi etj.

” Eshtë mirë të zgjidhen produkte integrale, pra buka e zezë, orizi i kaftë, bollguri, patatet e ëmbla, në mënyrë që të na japin më shumë fibra, të cilat ndihmojnë në ngopjen më të shpejtë, dhe e lehtësojnë tretjen. Sallatat asesi nuk duhet të mungojnë në pjatë” tha Pupovci.

Dietologja thotë se një rregull e përgjithshme e ushqyeshmërisë së shëndetshme është që pjata të jetë e mbushur  gjysmë me perime, një çerek me mish apo burim tjetër të proteinave dhe çereku tjetër me drithëra.

” Në këtë mënyrë, shumë më mirë mund të kontrollohen sasitë e ushqimit që konsumojmë, gjithmonë duke dëgjuar sinjalet që trupi ynë na jep kur jemi të ngopur” thote ajo.

Për Bajram, bakllava është e zakonshme po edhe është një prej ëmbëlsirave që përmban më së shumti yndyrë dhe sheqer, prandaj Pupovci rekomandon që të zëvendësohet me diçka më të shëndetshme.

“Mirëpo, edhepse festë është mirë që këto ëmbëlsira shumë kalorike të fillojmë t’i zëvendësojmë me ëmbëlsira më të lehta, të cilat kanë më pak sheqer të shtuar dhe që mund të përmbajnë edhe fruta” thotë dietologia.

Pupovci thotë se është mirë që ëmbëlsirat të prehen në copa të vogla, duke marrë në konsideratë se shumica e mysafirëve vizitojnë disa familje brenda ditës, secila duke shërbyer edhe ëmbëlsirë.

“Gjithsesi, duhet të planifikohet mirë sasia e ushqimit dhe ëmbëlsirave që përgatiten. Përgatitja e sasive të tepërta në njëfarë mënyre obligon njerëzit që të konsumohen sasi më të mëdha të ushqimit. Shpesh herë, përgatitet aq shumë ushqim dhe ëmbëlsira, sa që ato konsumohen për 2 ose 3 ditë rresht” thotë ajo.

Sipas saj konsumimi i ushqimit kalorik për disa ditë me rradhë thjesht mund të ndikojë në prishjen e rutinës së zakonshme të të ushqyerit shëndetshëm si dhe në shtimin e peshës trupore.

Përveç kësaj,sipas saj, duhet patur parasysh se sasitë e mëdha të ushqimeve dhe me shumë kalori, shkaktojnë tretje jo të mirë, thartinë dhe fryerje gjë që bën të mos ndjehemi mirë mu në ditë feste.