Gjyqtari Beqir Kalludra |Foto: KALLXO.com

 Beqir Kalludra i përgjigjet Tomë Gashit: ” Vendimet e mija unë i mbroj me jetën time”

Në fillim të seancës për rigjykimin e ish-aktivistëve të Lëvizjes  “Vetvendosje”, të akuzuar për veprën penale të terrorizmit, avokati Tomë Gashi mbrojtës i të akuzuarit Frashër Krasniqi, kërkoi përjashtimin e kreytarit të trupit gjykues Beqir Kalludra.

Por gjyqtari Beqir Kalludra i’u përgjigj avokatit Gashi duke thënë se nuk do të dorëhiqet nga rasti.

“Unë dëshiroj t’iu vë në dijeni se unë dorëheqje prej rasteve të mija të gjykimeve nuk jap kurrë, tani po ju tregoj se ndërgjegjja ime nuk lejon të cenohet nga asnjë njeri dhe përgjegjësia ime ligjore që ju e quani të qëllimshme nuk do të vihet kurrë në pikëpyetje”.

Ai gjithashtu tha se pret vendimin e Kryetares se Gjykatës lidhur me kërkesën për përjashtimin e tij.

“Nuk varet nga dëshira ime a do t’a gjykojë këtë çështje apo jo sepse vendos dikush tjetër por tani,  ju informoj se gjyqtari Beqir Kalludra nuk heq dorë nga asnjë lëndë që ka gjykuar dhe çdo dyshim që keni qoftë në sjelljen time qoftë në  aftësinë time profesionale keni lirinë  apsolute të bëni hetime dhe të sjellni prova se a mund të gjeni sa një fije floku mundësi që dikush të  ndikojë në vendimet e mija”, tha Kalludra.

“Vendimet e mia unë i mbroj me jetën time. Sa të jenë të drejta apo të padrejta, gëzohem shumë  që është  shkalla e dytë dhe i vlerëson edhe shkalla e dytë”, shtoi ai.

Gjykimi i sotëm u ndërpre deri në vendosje të kërkesës nga ana e Kryetares së Gjykatës.

Të akuzuar në këtë rast janë Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi e Egzon Haliti të cilët ngarkohen për veprën e terrorizmit.

Kërkohet përjashtimi i Beqir Kalludrës në gjykimin për sulmin në Kuvend