Kërkohet përjashtimi i Beqir Kalludrës në gjykimin për sulmin në Kuvend

Avokati i Frashër Krasniqit, Tomë Gashi, ka kërkuar që gjykatësi Beqir Kalludra të përjashtohet nga gjykimi i rastit për sulmin në Kuvend.

Në Gjykatën e Prishtinës po mbahet seanca pasi rasti u kthye në rigjykim.

Të akuzuar në këtë rast janë Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi e Egzon Haliti të cilët ngarkohen për veprën e terrorizmit.

“Mendoj qe ka baze të fortë për përjashtimin tuaj për shkak se për mendimin tim, ju qëllimisht apo rastësisht apo për çfarë do arsye tjera por jo për arsye ligjore, të gjitha provat shfajsuese i keni konsideruar si prova fajësuese”, tha Tomë Gashi.

Propozimin e avokatit Tomë Gashi, megjithatë nuk e ka mbështetur avokati Ramiz Krasniqi, mbrojtës i të akuzuarit Atdhe Arifi, i cili tha se “të rrallë janë ata gjykatës që vlerësojnë aq shumë rrethana shfajësuese”

Në anën tjetër, vetë gjykatësi Kalludra ka thënë se vendimet e tij i mbron dhe nuk jep dorëheqje.

“Unë dorëheqje nuk jap në asnjë rast timin, nuk varet nga dëshira ime të gjykojë këtë çështje apo jo, dhe çdo dyshim që keni në lidhje me mua keni të drejtë të hetoni dhe të vini me prova, por sepse vendimet e mija i mbroj me jetën time”, tha Kalludra.

Seanca pastaj u ndërpre deri në vendimin e Kryetares së Gjykatës së Prishtinës, Afërdita Bytyqi, lidhur me kërkesën për përjashtimin e gjykatësit.