Bekim Jashari. Foto: Facebook

Bekim Jashari: Rasti i sotëm me COVID-19 është kontakt nga Vushtrria

Një rast i ri me COVID-19 është regjistruar sot në komunën e Skenderajt, përkatësisht në fshatin Lubavec.

Kryetari i kësaj Komune, Bekim Jashari, ka njoftuar se personi i infektuar është rast kontakti nga Vushtrria.

“Pas marrjes së informatës nga IKSHP, kemi ndermarrë hapat e nevojshëm dhe tani rasti është në izolim. Ky është rasti i 8-të i infektuar në komunën tonë dhe të gjithë janë raste kontakti nga komunat tjera. Falë punës së përbashkët dhe disiplinës së treguar, deri me tani nuk e kemi asnjë rast të shpërndarjes së virusit nga këta persona tek personat tjerë”, ka shkruar i pari i Skenderajt në rrjetin social “Facebook”.

Deri më tani në komunën e Skenderajt janë gjithsej 8 raste me COVID-19, prej tyre 6 të shëruar dhe 2 janë ende raste aktive por në izolim.

Ndërkaq në nivel vendi janë regjistruar sot edhe 49 raste të reja dhe 25 të shëruar.