Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bedri Hamza flet për videon e publikuar nga LVV, ku dëgjohen edhe të shtëna me armë

Në orët e pasdites, faqja e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë ka publikuar një video-inicizim ku dëgjohet muzikë ndërsa pretendohet se në këtë rast ka pasur edhe të shtëna armësh.

Në pamjet e publikuara shihet kandidati i PDK-së për Mitrovicë, Bedri Hamza, Sami Lushtaku, deputetja Blerta Deliu, të cilët marrin pjesë në tubim.

“Po Bedri, nëse fsheh krimin je pjesëmarrës në krim, sepse duhet me denoncuar krimin! Gjuajtja me armë në vende publike është krim dhe mos lajmërimi i rastit në polici është vepër penale, sipas paragrafit 1.9 – neni 378 të Kodit Penal të Kosovës”, thuhet përkrah video- incizimit të cilin e ka publikuar faqja e LVV-së në Mitrovicë.

Ata madje kanë kërkuar përgjigje nëse Hamza e ka denoncuar një rast të tillë.

KALLXO.com ka kontaktuar me kandidatin e PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Bedri Hamzën.

Ai mohoi se një ngjarje e tillë ka ndodhur dhe se kjo video nuk është e fushatës aktuale.

“Ata e kanë bërë një strategji të një fushate negative. Unë mendoj që fushata duhet me u bazu në program, projekt, njerëz, ekipe e jo në fushatë negative dhe akuzuese dhe të paqëndrueshme. Ata duhet me tregu për cilën fushatë po bëhet fjalë, për cilën ditë”, tha Hamza për KALLXO.com.

Ai shtoi edhe se rasti për të cilin ka publikuar video LVV në Mitrovicë nuk ka qenë nën organizimin e tij dhe nuk është në Mitrovicë.

“Takimi as nuk ka ndodhur në Mitrovicë, as nuk ka qenë i organizuar nga ana ime dhe as nuk jam njeri që u duartrokas sendeve të caktuara, asnjëherë. Nuk është ngjarje as që lidhet me ngjarjet aktuale as me Mitrovicën as për kandidaturën time për kryetar të Mitrovicës. Ajo video ka qenë publike e më thonë e kam lajmëru e s’e kam lajmëru, çka di unë, ku shkoj në tubim çka ndodhë, çka di unë për ato punë. Nuk është ngjarje që ka ndodhur me Mitrovicë dhe as nuk lidhet me fushatën aktuale”, shtoi Hamza.