Peter Stano

BE-ja pret nga Kosova e Serbia përparim në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Peter Stano, ka thënë se përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, u ka bërë të qartë të dyja palëve se BE-ja pret përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, vizitoi Prishtinën e Beograd, në kuadër të kornizës së punës që po e bën, duke u angazhuar me partnerët në terren, për të shtyrë para dialogun, për t’u bërë të qartë të dyja palëve se BE-ja pret përparim në këtë. Është propozimi i BE-së se si të shtyhet para ky dialog dhe progres drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano.

Ai ka thënë se ende nuk ka një datë për caktimin e një takimi të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Por, sa i përket takimit të radhës të nivelit të lartë, ai ka thënë se “BE-ja është gjithmonë e lumtur të organizojë dhe mundohet të organizojë një takim të tillë”.

“Kur të ketë(takim) do të njoftoheni në mënyrën e duhur”- ka thënë ai.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë se tashmë edhe Kosova ka pranuar propozimin e BE-së në parim.

Emisari i BE-se paralajmëron se diskutimet do të vazhdojnë në një takim të nivelit të lartë.

Vizita në Kosovë e Serbi, Lajçak paralajmëron takim të nivelit të lartë