Baliqi: Kosova ka shanse më të mira se kurrë për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Bekim Baliqi, në emisionin ‘Kallxo Përnime’ i pyetur se ku është urgjente që të anëtarësohet Kosova, ka thënë se duhet të synohet Këshilli i Evropës.

“Varet sa punon, por shanset më të mira janë tash se kurrë, nëse nuk hyjmë tash, nuk e di kur do të mund të hyjmë”, tha ai.

Baliqi po ashtu përmendi edhe disa organizata të tjera në të cilat sipas tij Kosova i ka shanset më të mira për t’u anëtarësuar.

“UNESCO, Interpol, aty ku janë gjasat më të mëdha. Me rastin e Ukrainës ka edhe ndryshime gjeopolitike të cilat janë të favorshme për Kosovën dhe të cilat do të mund të shfrytëzoheshin”, tha ai.

Profesori universitar ka thënë që qeveritë e Kosovës nuk kanë bërë mjaftueshëm për kthimin e trurit në vend, pasi që sipas tij diaspora është aset.

“Problemi më i madh është që si të rrjetizohen, si të shfrytëzohet, si të krijohet një angazhim më i madh i diasporës. Ne mburremi që e kemi diasporën, por një pjesë të madhe e lëmë pa e shfrytëzuar në kuptimin e mundësive që nuk krijohen ura lidhëse, që nuk kemi data-bazë të mirëfilltë, pastaj programet që ndërlidhin ndërmarrësin me mërgatën, kthimin e trurit ku kemi mundësi që të shfrytëzojmë kapacitetet tona që i kemi jashtë”, tha ai.

Këshilli i Evropës është një prej organizatave më të rëndësishme në Evropë dhe Kosova është i vetmi vend nga rajoni që nuk është pjesë e tij.

Këshilli i Evropës u formua pas Luftës së Dytë Botërore për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në të gjithë kontinentin dhe është e ndarë nga Bashkimi Evropian.