Foto: Hajrulla Çeku / Facebook

Baleti Kombëtar i Kosovës, gjysmë shekulli jetë e pa shtëpi

Baleti Kombëtar i Kosovës ka kremtuar sot 50-vjetorin e themelimit.

Ky përvjetor u kremtua me sjelljen në skenë të baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria”.

Shfaqja u ekzekutua nga balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës së bashku me balerinë nga Teatri i Operës dhe Baletit në Shqipëri, nën përcjelljen e Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës.

Drejtues të institucioneve të Kosovës kanë përshëndetur performancën e balerinëve dhe balerinave të Kosovës dhe Shqipërisë në këtë përvjetor.

Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova kultivoi artin e lëvizjes së bukur në kohërat më të vështira të saj.

“Të palëkundur ishin themeluesit dhe secili prej akterëve në këtë profil që paraqet nivelin më të lartë të shprehjes artistike trupore të një shteti. Nata e sontme ishte shembull i nderimit të gjeneratave themeluese, progresit të gjeneratës së re dhe vizionit për Baletin Kombëtar në të ardhmen” – ka shkruar ai në Facebook.

Ndërsa, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, tha se “edhe sonte u vërtetua që ende i kemi një borxh të madh balerinëve, koreografëve, kostumografëve e skenografëve që kanë punuar gjatë këtyre viteve për të mirë të baletit kosovar, e ajo është ndërtimi i një objekti ku Baleti Kombëtar i Kosovës sjellë në skenë shfaqjet e tyre në mënyrë të dinjitetshme”.

Për shkak se institucionet kanë dështuar t’i ndërtojnë një “shtëpi”, Baleti e kremtoi përvjetorin në palestrën “1 tetori”.

Në fund të prillit 2022, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar që hapësira prapa Pallatit të Rinisë të jetë vendi për ndërtimin e objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte premtuar një ditë pas këtij vendimi të Kuvendit të Prishtinës se shumë shpejt do të shpallet konkursi për projektin e ndërtimit të ndërtesës së teatrit të Operës dhe Baletit.

Që nga ajo kohë kanë kaluar 5 muaj e gjysmë dhe ende nuk ka asgjë konkrete.