Trupa e BKK-se. Foto: KALLXO.com

Pa kushte e jashtë objektit, Baleti Kombëtar shënon 50-vjetorin e themelimit 

Këtë vjeshtë, Baleti Kombëtar i Kosovës shënon 50-vjetorin e themelimit.

Ky 50-vjetor e gjen këtë institucion në kushte të vështira dhe jashtë objektit ku për gjysmë shekulli kanë zhvilluar veprimtarinë artistike.

Në qershor të këtij viti me vendim të Ministrisë së Kulturës, ndërtesa e Teatrit Kombëtar, ku edhe BKK-ja zhvillon veprimtarinë është mbyllur për renovim.

Sinan Kajtazi, drejtor BKK-së, tha për KALLXO.com se pas mbylljes së objektit të TKK-së për renovim,  BKK do të vazhdojë aktivitetin ditor në ambientet e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, “Shota”.

“BKK do të vazhdojë aktivitetin ditor në ambientet e AKV ‘Shota’, ku do të jemi të detyruar të ndajmë kohën me këtë ansambël, e sigurisht se kjo do të jetë sfidë në vetvete, mirëpo uroj që përgjatë kësaj periudhe, të gjejmë një hapësirë alternative në mënyrë që të punojmë në kushte më të volitshme, deri në rikthimin tonë në Teatrin Kombëtar”- thotë ai, për KALLXO.com.

Kajtazi thotë se për shënimin e 50-vjetorit të BKK-së do të ketë dy ngjarje me rëndësi.

Më 8 tetor do të bëhet bëhet promovimi i monografisë për balerinin dhe ish-drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, i cili është një figurë ikonë e Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Ndërkaq më 9 tetor, do ta kemi gala-mbrëmjen festive, ku është paraparë të shfaqet premiera e baletit “Halili dhe Hajria”, e cila do të vihet në skenë në formë suite, nga koreografja Alisa Gjoni nga Tirana”-shtoi Kajtazi.

Shfaqja “Halili dhe Hajria” do të luhet nën përcjelljen e orkestrës së Filarmonisë së Kosovës. Pjesë e shfaqjes do të jetë edhe Trupa e Baletit e Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës.