Bahtiri ua ndalon bizneseve private punën për 1 maj

Në Mitrovicë subjektet afariste nuk do të punojnë për nder të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 maji.

Këtë e ka bërë të ditur, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve ku janë diskutuar disa pika të rendit të ditës, që janë me interes për qytetarët e komunës së Mitrovicës.

Bahtiri në dakordim me ekzekutivin u pajtuan që nesër me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve “1 Maji” të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset në qytetin e Mitrovicës, me përjashtim të kafiterive, barnatoreve, furrave të bukës, pompave të benzinës dhe restoranteve.

Drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Egzon Jashari, ka njoftuar ekzekutivin për hyrjen në fuqi të ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, në veçanti obligimet paraprake të komunës dhe risitë që ka sjellë ligji i ri.

“Sa i përket obligimeve komunat e kanë për obligim që të publikojnë listën e përgjithshme të pronave të paluajtshme të komunës si dhe listën e veçantë të pronave që planifikohen për dhënien në shfrytëzim për vitin vijues. Poashtu komunat duhet të hartojnë një rregullore komunale për dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme për periudhën deri në një vit”, tha Jashari, sipas një komunikate për media.

Ndërsa drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, bëri të ditur që edhe gjatë këtij vikendi inspektorët komunal në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë inspektuar subjektet afariste lidhur me vendimin për respektimin e orarit të punës. Ai poashtu tha se vendimi i kryetarit Bahtiri që dita e diele të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset në Mitrovicë është duke u respektuar në përpikëri.

Gjatë kësaj mbledhje drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, informoi bordin lidhur me përgaditjet e nevojshme të Panairit të Shkencës dhe Kulturës, edicioni i 13-të, i cili organizohet nga Gjimnazi “Frang Bardhi” në bashkëpunim me komunën e Mitrovicës.

Ky panair do të mbahet në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë lumit Ibër, me datën 2,3 dhe 4 maj.

Në fund të mbledhjes së sotme, drejtori i Administratës, Hysen Muzliukaj, ka njoftuar se komuna e Mitrovicës nga e premtja me datën 03.05.2019, do të bëhet me qendrën e thirrjeve, ku qytetarët do të kenë mundësi të thërrasin pa pagesë në numrin 080019400, dhe mund të njoftohen për të gjitha shërbimet komunale, gjë që kjo ndikon në rritjen e transparencës së komunës.

Po ashtu drejtori Muzliukaj tha se shërbimi në qendrën e thirrjeve do të jetë çdo ditë nga e hëna deri të dielën, prej orës 08:00 deri në 22:00.