Foto: Ilustrim

Avokati i të dyshuarit për vrasjen në Ferizaj: Klienti nuk mund të flasë edhe për minimalisht 2 javë

Q.J., i dyshuari për vrasjen e 30-vjeçarit G.H. në orët e para të 28 majit në Ferizaj, nuk mund ta jep versionin e tij për këtë ngjarje edhe për rreth dy javë.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, Fitim Shabani, avokati i të dyshuarit për vrasjen e javës së kaluar në Ferizaj.

“I dyshuari nuk është në gjendje të mirë shëndetësore për të dhënë mbrojtje momentalisht, kështu që ne fillimisht do të deklarohemi që nuk mund të flasim për shkak të gjendjes shëndetësore, për shkak të operimit që e ka pasur sot. Për një periudhë minimalisht dy javë, deri në 1 muaj është e pamundur që të deklarohet”, tha ai.

I dyshuari Q.J. ishte plagosur nga një polic pak çaste pasi ai kishte qëlluar me armë zjarri tashmë viktimën G.H.

Incidenti ka ndodhur në Ferizaj më 28 maj, rreth një orë pas mesnatës.

Gjykata e Ferizajt dje ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit, i cili po vazhdon të trajtohet në spital.

Në dosjen e prokurorisë të dorëzuar në Gjykatën e Ferizajt nga prokurori i shtetit, Shukri Jashari, janë dhënë detaje se si ka ndodhur ngjarja.

Në këtë dosje tregohet se si njëri nga dëshmitarët e rastit ka deklaruar se i dyshuari Q. J., i cili është vëllai i rep-këngtarit Buta, i ka shkuar prapa me veturë të markës “Audi A7” viktimës pak para vrasjes.

Viktima G. H. së bashku me shokët e tij që ishin në veturë janë ndalur në një market në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj.

Në dosje thuhet se gjatë kohës sa dëshmitari ishte brenda marketit ka dëgjuar disa të shtëna armësh dhe menjëherë ka vërejtur viktimën të kërrusur dhe të lënduar si pasojë e të shtënave.

Pas kësaj, dëshmitari thuhet se e ka hipur viktimën në një taksi për ta dërguar në Qendrën Emergjente ku më pas nga mjekët është konstatuar vdekja e viktimës.

“Me deklaratën e dëshmitarit, i cili ka deklaruar se përderisa ka qenë së bashku me shokët e tij, një ndër ta edhe tani i ndjeri, i pandehuri Q. J. ju ka ardhur nga mbrapa me veturën e markës “Audi A7” dhe përderisa vet ka qenë brenda marketit, ka dëgjuar disa të shtëna dhe menjëherë ka vërejtur tani të ndjerin G. H. të kërrusur dhe i lënduar si pasojë e këtyre të shtënave nga ana e të pandehurit Q. J., prandaj menjëherë e ka hipur në një taksi për ta dërguar në Qendrën Emergjente, mirëpo aty nga mjekët ishin njoftuar se i njëjti ka ndërruar jetë”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Në dosjen e prokurorisë po ashtu përshkruhet se motivi i kësaj vrasje dyshohet se ka të bëjë me djegien e një veture të vëllait të të dyshuarit, rep-kengëtarit Buta dhe se i dyshuari ka pretenduar se vetura i ishte djegur nga tashmë viktima G. H dhe se i dyshuari me parapërgatitje dhe me dashje e ka kryer vrasjen.