Avokati i Popullit

Avokati i Popullit e dërgon kërkesën e SBAShK-ut për Ligjin e pagave në Kushtetuese

Avokati i Popullit e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e anëtarësisë së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) për revokimin e vendimit për pezullim të përkohshëm të Ligjit për paga.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e përkohshëm të Ligjit të pagave, anëtarësia e SBASHK-ut kishte nisur përmes shoqatave sindikale dhe nivelit komunal sindikal të mbledh nënshkrime dhe t’i drejtohet Avokatit të Popullit me kërkesë.

Në këtë kërkesë thuhej që Avokati i Popullit, pas shqyrtimit të çështjes, ta procedojë në Kushtetuese kërkesën e tyre për revokimin e vendimit për masën e përkohshme të pezullimit të Ligjit të Pagave.

Avokati i Popullit ka njoftuar se kjo kërkesë është proceduar në Kushtetuese.

“Kërkesa e institucioneve arsimore komunale të arsimit, e nënshkruar nga anëtarët e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), drejtuar Avokatit të Popullit, për revokimin e vendimit për masën e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, i datës 12 dhjetor 2019, lidhur me pezullimin e përkohshëm të Ligjit të pagave, është proceduar në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se SBASHK-u, Sindikata e Shëndetësisë, Policisë, Doganës dhe Zjarrfikësve janë në përfundim të përgatitjes së një shkresë të përbashkët për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese në emër të anëtarësisë së tyre e që ka të bëj me kërkesën për revokimin e vendimit për masën e përkohshme të pezullimit të Ligjit të pagave.

“Kjo shkresë Kushtetueses do t’i dorëzohet së largu të premten e kësaj jave”, thuhet në njoftim.

Ligji për paga është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese më 12 dhjetor të vitit 2019. Ligji do të jetë i pezulluar deri më 30 mars 2020.

Këshilli Drejtues i SBAShK-ut kishin shprehur pakënaqësi se pse Ligji për Paga ishte dërguar në Kushtetuese.

SBAShK-u para se të miratohej ky Ligj kishte mbajtur grevë trijavëshe derisa u plotësuan kërkesat e tyre, po se orët e humbura të kësaj greve kurrë nuk u zëvendësuan pavarësisht se MAShT-I kishte marrë vendim që ato të kompensohen.

SBAShK-u paralajmëron grevë për Ligjin për Paga