Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Auditori: KQZ u dërgua tek përmbaruesi pas organizimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale

Organizimi i dytë i raundit të zgjedhjeve lokale të vitit 2017, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) i ka kushtuar me dërgim tek përmbaruesi.

Kjo është një nga të gjeturat e raportit të auditimit për vitin 2020 të KQZ-së, që është treguar se më datën 11 tetor të vitit 2017, KQZ kishte lidhur kontratë publike për shtypjen e formave zgjedhore për zgjedhjet lokale 2017 në vlerë 75 mijë e 222 euro, për raundin e parë të zgjedhjeve, por përkundër përfundimit të kontratës, KQZ kishte vazhduar me porosi për raundin e dytë të zgjedhjeve në vlerë prej 41 mijë e 641 euro..

Sipas auditorit, edhe pse kishte pranuar porosinë, KQZ nuk kishte kryer pagesën dhe më pas pagesat për procedurë përmbaruese janë bërë në vitin 2020.

Sipas Raportit të Auditorit, në vitin 2020 me datë 11 shkurt 2020, Thesari bazuar në nenin 40 të LMFPP, kishte ekzekutuar pagesën në vlerë 50 mijë e 475 euro dhe prej shumës së paguar, borxhi kryesor ishte 41 mijë e 641 euro, interesi 7 mijë e 28 euro si dhe shpenzimet tjera gjyqësore 1 mijë e 806 euro.

ZKA thotë se kjo kishte ndodhur pasi KQZ pas përmbushjes së kontratës kishte bërë kërkesë dhe pranuar furnizimet sipas kërkesës për shtypjen e formave zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale 2017 ndërsa nuk kishte kryer obligimet.

“Hyrja në detyrime financiare në mungesë të kontratës apo të një baze të qartë ligjore, ndikon në shpenzimin e buxhetit për qëllime tjera të pa planifikuara me buxhetin e vitit aktual si dhe shpenzime shtesë në emër të shpenzimeve gjyqësore dhe të përmbarimit”, thuhet më tej në raport.

Auditori ka rekomanduar që kryetari i KQZ-së duhet të bëj me kohë planifikimin e nevojave dhe lidhjen e kontratave për këto furnizime, për të parandaluar pagesat e parregullta dhe të pa kontraktuara.